Zyra e Presidentit të Kosovës ka bërë të ditur se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë parasysh pjesërisht komentet të dërguar nga kjo zyrë për tarifat e energjisë elektrike.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj për faktin se vendimi final i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike për vitin tarifor 2022 ka marrë parasysh vetëm pjesërisht komentet e dërguara nga ZPRK-ja në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU”.
Kjo zyrë shpreh shqetësimin se vendimi i ZRRE-së është një vendim kundër shpërndarjes akoma më të drejtë e më të barabartë të barrës së gjithmbarshme të shtrenjtimit të rrymës.
“Edhe pse rritja e tavanit të bllok tarifës nga 600 kWh në 800 kWh paraqet progres ne krahasim me propozimin fillestar, pasi që do të lehtësoj pjesërisht barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës, hezitimi për të rikthyer 3 bllok tarifa siç ka qenë praktika deri më vitin 2017, është një vendim kundër shpërndarjes akoma më të drejtë e më të barabartë të barrës së gjithmbarshme të shtrenjtimit të rrymës. Për më tepër, një vendim i tillë do të kontribuonte drejtpërdrejt edhe në krijimin e incentivave shtesë për investim në masa të efiçiencës se energjisë, e që përfundimisht do të duhej të shndërrohej në objektiv kolektiv në vazhdën e zhvillimeve kombëtare e ndërkombëtare në sektorin e energjisë”.
“Vendimmarrja inkluzive dhe vendosja e konsultimit publik në qendër të politikave rregullatore efektive duhet të jetë gjithnjë parimi i marrjes së vendimeve strategjike të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien qytetarëve”.
Sipas ZPRK-së synimi kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike.
“Ritheksojmë që për ZPRK, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, i bëjmë thirrje institucioneve relevante të prioritizojnë angazhimin strategjik në këtë drejtim”.
“Përfundimisht, pavarësisht cilitdo skenar final të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, ZRRE-së i bëjmë thirrje që shqyrtimin e radhës të rregullt të tarifave ta bazoj duke u thirr në strukturën e deritashme tarifore dhe jo në rezultatet e rishikimit të jashtëzakonshëm tarifor”.