PREND BUZHALA: HOMAZH PËR KOLË M. BERISHËN (26 tetor 1947 – 29 gusht 2021)

Shkruan PREND BUZHALA:

HOMAZH PËR KOLË M. BERISHËN (26 tetor 1947 – 29 gusht 2021)

Shkoi në amshim Kolë M. Berisha. I lindur në Dobërdol të Klinës (26 tetor 1947), ishte ndër ato personalitete të dalluara të kësaj komune dhe më gjerë, në gjithë Kosovën. Më ka ra puna që para luftës të bashkëpunoj për një kohë të gjatë me të, të shkruaj për të e për veprat e tij, kur së bashku me intelektualë të tjerë klinas e drejtonim veprimtarinë e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë “Luigj Gurakuqi” të Klinës. E njihja që nga vitet ’60, ndërsa në gjysmën e dytë të viteve ’7, kur kemi punuar
së bashku në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës”, nga e cila shkollë më vonë na morën në burgje politike…

1.

Gjatë atyre viteve të vështira, viteve ’90, u gjendëm në shumë veprimtari të përbashkëta të lëvizjeve politike e nacionale të Kosovës. Ndër të tjera, e nisëm me Këshillin e Pajtimit të Gjaqeve ( kryetar i këtij Këshilli ishte Vesel Krasniqi) e ku bënin pjesë intelektualë e veprimtarë klinas). Kudo, prania e tij, reflektonte zërin e pjekur intelektual, gatishmërinë për veprime e zgjidhje të situatave.
Kolë M. Berisha shkollën fillore e kreu në fshatin Ujmirë të Klinës, normalen e kreu në Gjakovë, dy vjet punoi mësues në Ujmirë dhe Gllarevë të Klinës, kurse nga tetë marsi i vitit 1973 punoi si sekretar i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë deri sa u arrestua. Ka të kryer Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Kur Forumi i mbante takimet e veta të rregullta, si asociacion, i shfaqi reagimet me anë kumtesash për ngjarjet e kohës.
Shkrimet e Kolës i pata lexuar që në vitet ’70, te revistat lokale si “Jehona e Dukagjinit”, “Koha” e Podgoricës, apo edhe te revistat shqiptare të Kosovës. Gjatë viteve ’90 kisha rastin ta redaktoja një libër të tij me tregime, që kishin vlera të mirëfillta artistike, disa ndër to ishin edhe të publikuara. Por, fatkeqësisht, ato mbetën dorëshkrim e nuk u botuan si vëllim më vete. Mbetën edhe shumë shkrime të tjera dorëshkrim të cilat mi tregonte, por që vërtet kishin cilësi trajtimesh.
Gjatë vitit 1990 lexuesve do t’iu kujtohen shkrimet e botuara në vazhdimësi (në formë fejtoni) të botuara te gazeta javore “Zëri”, në të cilat ai dëshmonte dhe rrëfente për 86 ditët e izolimit të intelektualëve shqiptarë që u arrestuan në mars të vitit 1989, kur edhe Kolën e dërguan në burgjet serbe në Leskoc, Beograd e Pejë. Këto shkrime, mandej, i pprmbodhi e i strukturoi në një libër të veçantë, me titullin “Ditari i një izolanti” (botoi Zëri, Prishtinë 1991). Ky libër ka patur edhe disa botime tjera, i fundit ishte vitin e kaluar nga botuesi “Koha”. Po në ato vite botoi edhe librin publicistik me trajtesa, me titull “Kosova plagë që pikon” (Prishtinë 1996). Që të dy këta libra Forumi, aso kohe, i pati promovuar e ku merrnin pjesë figura e personalitete të shquara të Kosovës.

2.

Në shënimet biografike për të shënohet se “nga 15 marsi i vitit 1998 është nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas luftës shërbeu edhe si anëtar i Këshillit Transitor të Kosovës dhe anëtar i Forumit Politik të Kosovës të formuar nga PSSP Søren Jessen-Petersen. Ishte anëtar i Grupit Politik Strategjik për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.” Ishte dy mandate si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe një periudhë sihte edhe kyretar i Kuvendit të Kosovës.
Me vlerë është edhe botimi i librit me trajtesa e kumtesa me karakter shkencor e publicistik, me titullin “Djajtë nuk flenë” (Shtëpia Botuese ” Rozafa” në Prishtinë 2008), në të cilën demaskon me forcë përdorimin e e fesë e të Kishës serbe për qëllimet e tij politike e luftarake nga kreu politik e ushtarak serb deri te Millosheviqi.
Në kohë të vështira ai ishte njeri i shpresës. Homazhi për të, në ndarje nga jeta, është shprehje ndaj vlerave të tij jetësore, e që e përcjellin mesazhin aq jetik për vendin tonë.

(29 gusht 2021)