Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.
IPK kishte pranuar informacione dje në orët e pasdites nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Istog ka kryer veprën penale dhunë në familje e paraparë me nenin 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar të dyshuarin (zyrtarin policor) si dhe viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij të cilës i është ofruar edhe ndihma mjekësore.
Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.