Shkruan: Lekë MRIJAJSot, me 17 janar të vitit 1468, apo 552 vjet më parë iku në amshim kryestrategu e legjendari ynë Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, i cili ishte një legjendë e gjallë e Shqiptarisë, legjendë i cili nuk u gjunjëzua për 25 vjet me radhë, nga viti 1443-1468. Ai ishte legjendari i cili skaliti veprat e tij e rezistencën kundër turqve otoman në shekullin e XV. Njëkohësisht ishte një shembull i shkëlqyer ngjasimi edhe për të gjithë heronjtë e mëvonshëm të gjenealogjisë tij e që mbetet figura më eminente e identifikuese ndër Shqiptar dhe Evropë në shekuj me radhë e deri në ditët e sotme. Me vdekjen e këtij gjeniut ushtarak, diplomatik e gjithëpërfshirës, iu hoq Shqipërisë udhëheqësi më permanent, personaliteti më i shquar i historisë sonë kombëtare, personalitet që kishte ndikuar fuqishëm në të tëra rrjedhat politike të vendit. Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, epopeja e shqiptarëve nën udhëheqjen e tij dhe e gjithë periudha e luftës së tyre kundër vendosjes së pushtimit osman, ndikuan fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve, në rritjen dhe në konsolidimin e vetëdijes kombëtare të tyre.
Ajo epope e pavdekshme i frymëzoi shumë intelektualë, shkrimtar, poet e artistë të shquar shqiptarë që ta përjetësonin atë në vepra historike monumentale nga më të shquarat e kohës dhe që patën përherë një jehonë të gjerë ndërkombëtare, me të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
Qytetarëve të Klinës së Dukagjinit afro një vit më parë pikërisht në kuadër të 575-vjetorit të Kuvendit të Lezhës i është shtuar busti Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Vlen të potencohet se Gjergj Kastriotit-Skënderbeu është figura më emblematike e përkatësisë sonë evropiane dhe e kontributit tonë si pjesëtarë të civilizimit tē saj. Busti në fjalë është vendosur falë iniciativës së Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë, solidaritetit të qytetarëve klinas, kosovarë e mërgata shqiptare në Evropë e Amerikë që u mbështet financiarisht edhe nga Komuna e Klinës e legjislativi komunal pa dallim partie…
Veç Komunës së Klinës ishin këta qytetarë të vullnetit të mirë në Klinë e diasporë të cilët ndihmuan financiarisht në vendosjen e bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Klinë siç vijon: z.Tomë N. Mrijaj, nga New Yorku, dr. Ukë Berisha, z. Pjetër Mark Gjergji, z. Gjerë Simonaj, z. Pjetër Luz Gjergji, z. Fazli Shala, (Albini), z. Islam Raci, z. Dodë Nrecaj, Sejdi Raci- (Semirra), z. Nebih Dushi, z.Tun Dedaj, z. Nikollë Shala, z. Gjergj Gjoni,( Restonat Kosova), Vëllezërit Dodaj, z. Nezir E. Sejdiu, z. Hysen Kalludra, z. Taip Gashi, z. Sylejman Gashi, z. Fahri Raci (firma RACI), z. Agron Coli (BaciPetrol), z. Pjetër Coli, z. Zef Heqimi (Europark – Zllakuqan), z.Tomë B. Duhanaj, z. Albert Dedaj, Familja Gjergj N.Qunit, z. Krist Nue Gjergji, z. Alban Anton Kolaj, znj/Lirije Mrijaj Shahini (z. Ramiz Llapatinca, znj. Pashke Perlleshi, z. Kened Mrijaj, z. Dugagjin Mrijaj, z. Arben Mrijaj), z. Dedë Musë Martini, z. Pajazit Berisha, z. Fran Mrijaj, Vilson Shabanaj.
Me mesazhe përgëzimi pas promovimit të bustit, në mediat e shkruara elektronike ditore e sociale të facebook-ut, u paraqiten edhe disa intelektualë – veprimtarë:
Prof. Hajdin Morina, i cili veç tjerash tha: “Urime Klina ime për shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ishte Ai autori i projektit të parë europian të shqiptarëve. Është Ai që na la në Europë dhe ne, pasardhësit e Tij, tash e 550 vjet trokasim në dyert e Europës me na e hap derën. Respekt për ata që kontribuuan që Kryezoti i Arbërisë të vijë në Klinë”.
z. Prend Gjergjaj, veprimtar nga Bjellovari i Kroacisë u shpreh: “Sot, kur Shtatorja e Kryetrimit tonë kombëtar, e derdhur në bronz me shumë dashuri, sapo zuri vend mu në mjedis të vendlindjes sime, se ç’më bie ndër mend t’i shpreh falënderimin e pafund, tani të ndjerit, mixhokut tonë (Gjokë N. Gjergjaj), i cili në vjeshtën e vonshme (apo në dimër) të ’68-tës, na tuboi dhe na priu drejt Pejës, përkatësisht kinemasë së qytetit, atje, grupit prej 10-15 të rinjsh e të moshuarish, për të shikuar filmin e famshëm mbi Kryetrimin tonë, Gjergj Kastrioti -Skendërbeu. Pushofsh në paqe, Mixhok! Dhe, t’a dijsh, tani s’kemi më nevojë të shtegtojmë në Pejë, Kastrioti mbërrini në Klinë! Gëzuar, e gëzofshim nder breza këtë figurë emblematike kombëtare e europiane” , tha z. Gjergjaj.
Gjon M. Krasniqi, nga Zvicra, “Nderi i Qarkut të Lezhës-2013”, veprimtar e humanist i përgëzoi qytetarët klinas duke thënë: “Sot është një ditë e veçantë, në të cilën ne si Arbëror të gjakut të Gjergjit, të Bashkohemi si dikur Skënderbeu në Besëlidhjen e Lezhës, pikërisht t’i flakim me zjarr flamujt e ndarjes kundrejt njërit-tjetrit pa dallim… dhe tamam të ndërgjegjësuar, të e tregojmë vetën tonë se kemi një gjenezë kastriotane e europiane”.