Barcelona është duke vlerësuar opsionet e saj për pjesën e mbetur të sezonit, pasi duket se ata do të mbeten pa shërbimet e kapitenit Marc-Andre Ter Stegen.
Mbetet të shihet në vazhdim në rast se ata vendosin që ta zëvendësojnë gjermanin me një lojtar të lirë gjatë afatit të janarit, ose të mbajnë besimin tek Inaki Pena.
Një numër portierësh që janë pa klube momentalisht janë si opsione për t’u transferuar në Kataloni, njëri ndër ta edhe Etrit Berisha.
Disa raportime madje kanë sugjeruar se drejtuesit e klubit blaugranas mund të përpiqen që ta bindin Wojciech Szczesny që të rikthehet nga pensionimi.
Ish-portieri i Barcelonës dhe Manchester Cityt, Claudio Bravo po ashtu është pensionuar këtë verë në moshën 41-vjeçare, por ai e ka lënë derën hapur për Barcelonën.
“Nëse Barcelona më thërret, unë do të jem i përgatitur”, ka thënë ish-portieri blaugranas për WinWin (via Diario AS).
Portieri kilian ka shpenzuar katër vitet e tij të fundit të karrierës tek Real Betisi, duke i ofruar konkurrencë Rui Silvas për pozitën e startuesit.
Ai ka bërë 74 paraqitje gjatë këtyre katër sezoneve, duke pësuar 81 gola dhe duke mbajtur 23 porta të paprekura.
Vitin e kaluar ai luajti në vetëm nëntë ndeshje ndërsa sezonin paraprak ai kishte pasur 21 paraqitje./Telegrafi/