Mbi 1000 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga ky institucion për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, por edhe për çështje të tjera.Këtë dukuri po e konsideron shumë shqetësuese Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, njëherë deputet i PDK-së.
Qalaj ka theksuar se vazhdimisht kanë kërkuar që institucionet e sigurisë të kenë kushte më të favorshme, ngase siç thotë ai për të qenë pjesë e Policisë, duhet që të kryhen një varg trajnimesh e shpenzime të shumta.
Sipas tij, ikja e policëve duhet të jetë alarm jo vetëm për Qeverinë, por për gjithë shoqërinë, prandaj edhe ka apeluar që sa më parë të miratohet Ligji i pagave që do të siguronte stabilitet.
“Që nga fillimi i punës së Policisë së Kosovës e deri më tash diku 1000 polic e kanë lëshuar Policinë e Kosovës, shumica prej tyre për shkaqe ekonomike, por ka pasur edhe të tjerë për shkaqe të tjera. Unë mendojë se është shqetësuese normalisht kur policët të cilët u nevojitet bukur gjatë me u trajnuar, me trajnime të ndryshme bazike e pastaj edhe me trajnime të specializuara detyrohen ta lëshojnë punën thjeshtë për shkaqe të kërkimit të një jete më të mirë, të një pune më të mirë”.
“Besoj që është shumë dukuri e keqe, po dëgjojë tash që kërkesat për largim nga Policia e Kosovës janë shumë më të mëdha, dhe jo vetëm nga Policia e Kosovës, por edhe nga FSK-ja. Ky është një alarm për tërë shoqërinë, Qeverinë, Kosovën sidomos në këto kushte të sigurisë që mbizotërojnë sot. Qe një kohë të gjatë bisedohet për çështjen e Ligjit të pagave që është njëra ndër çështjet kryesore dhe ne edhe në Parlamentin e Kosovës kemi kërkuar nga Qeveria shumë herë që të vijë në Kuvend Ligji për paga, të diskutohet, të miratohet që të ketë kushte të favorshme në aspektin financiar për të gjitha institucionet e sidomos për këto të sigurisë”.
Për pagesën e ndërrimit të natës dhe shujtën deputeti i PDK-së tha se Qeveria duhet të bëjë përpjekje që kjo kërkesë të realizohet.
“Është një pagesë simbolike, shumë e vogël, dhe gjithsesi Qeveria e Kosovës duhet ta rrit pagesën e natës, dhe po ashtu të bëjë përpjekje të sigurojë shujtën për policët meqenëse policët kurrë nuk e din se në cilin vend do të punojnë dhe shpesh herë nuk kanë të ndalen dhe të blejnë ushqim”, ka deklaruar Qalaj.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha se ikja profesionistëve në fushën e sigurisë po bëhet për shkak të pakënaqësive që kanë në vendin e tyre të punës.
Tutje bëri apel nga organet qeveritare që të kthejnë vëmendjen nga Policia e Kosovës që të ua plotësojnë kushtet në mënyrë që të parandalohet largimi i tyre, raporton EO.
“Policia e Kosovës të gjitha detyrat i kryen me profesionalizëm jashtëzakonisht të lartë. Për shkak të kushteve të dobëta një numër i policisë kanë dhënë dorëheqje vullnetare dhe diku nga themelimi i Policisë i kemi mbi 1000 pjesëtarë të cilët kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga PK-ja”.
“Unë mendojë se shumica e tyre kanë shkuar për shkak të pakënaqësive që kanë pasur brenda. Ndoshta edhe disa të tjerë edhe për shkaqe të tjera. Unë kisha bërë apel nga organet qeveritare që të kthejnë vëmendjen nga Policia e Kosovës që të ua plotësojnë kushtet për të ndalur gjithë këta profesionist”, ka deklaruar Zeqiri.