Policia e Kosovës ka kryer një aksion në 14 lokacione të ndryshme në nivel vendi për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Sipas njoftimit, në këtë operacion policor të realizuar janë konfiskuar një sasi e konsideruar armësh dhe municionesh të kalibrave të ndryshëm.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Renda si rezultat i shkatërrimit të një grupi kriminal qe ishte realizuar vitin e kaluar (02.10.2023), ku ishin arrestuar tre persona të dyshuar, në vazhdën e bashkëpunimit ndërkombëtare, lidhur me rastin ‘’Gjermania’’ ka vazhduar hetimet edhe përgjatë këtij viti. Njësiti kundër Krimit të Organizuar ka vazhduar me aktivitete intensive hetimore, ku më datat 13.03.2024, 14.03.2024 dhe 15.03.2024, ka realizuar një operacion policor në disa lokacione të ndryshme në nivel vendi, lidhur me dyshimet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 të KPRK-së. Në këtë operacion policor të realizuar sipas urdhëresës nga gjykata, janë kontrolluar 14 lokacione me ç’rast janë konfiskuar një sasi e konsideruar armësh dhe municionesh të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftim.