Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet,
Nën dyshimet për posedim të armëve pa leje kompetente, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, kanë kryer bastisje sot në një shtëpi private në fshatin Perqevë të komunës së Klinës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se fillimisht është kërkuar nga anëtarët e familjes Gashi që të dorëzojnë armët që posedojnë, mirëpo të njëjtit kanë mohuar të kenë armë në shtëpi.
Gjatë bastisjes, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me fishekë e fshehur në traktorin që gjendej në oborrin e shtëpisë, ndërsa në shtëpi janë gjetur edhe disa fishekë.
34-vjeçari është paraqitur në stacion dhe është intervistuar nga hetuesit policorë, para të cilëve ka pranuar se armët në fjalë janë në pronësinë e tij dhe për të njëjtat nuk posedon leje.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“