Policia vret iranianin që mbajti peng disa persona në një tren në Zvicër

Evropë

Policia vret iranianin që mbajti peng disa persona në një tren në Zvicër
news image
sinjali
Sinjali.com
09 Shkurt 2024 10:26
Autoritetet zvicerane kanë njoftuar se kanë vrarë një burrë nga Irani, i cili mbrëmjen e së enjtes kishte mbajtur peng për gati katër orë 15 persona në një tren, e që i kërcënoi me sëpatë.

Incidenti ndodhi në qytetin Essert-sous-Champvent në linjën e trenit që lidh Baulmes dhe Yverdon-les-Bains në kantonin zviceran të Vaud pranë kufirit francez, shkruan Reuters.

Policia, mes tjerash, njoftoi se asnjë nga pengjet nuk është lënduar, teksa gjatë ndërhyrjes pengmarrësi mbeti i vrarë. Policia nuk dha asnjë detaj në lidhje me motivet e mundshme të burrit, i cili sipas policisë ishte një azilkërkues iranian 32-vjeçar.

Incidentet me pengje janë të rralla në Zvicër, por kanë ndodhur në banka dhe në biznese. Në janar të vitit 2022, punonjësit e një firme prodhimi të orëve u morën peng dhe u detyruan të hapin një kasafortë që mbante metale të çmuara.