Policia e Kosovës me datën 08.09.2022 ka pranuar informacione se dy persona të dyshuar me një veturë me targa vendore janë duke transportuar substanca narkotike në drejtimin Gjakovë – Prishtinë.
Pas pranimit të kësaj informate, njësia policore nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Gjakovë, në asistencë edhe nga njësitë patrulluese nga stacioni policor në Klinë kanë marrë veprime të menjëhershme për ndalim të veturës së dyshuar.
Njësitë përkatëse pas marrjes së veprimeve kanë arritur që ta ndalojnë veturën e lartcekur, me ç’rast është bërë edhe arrestimi i dy personave të dyshuar, ku gjatë kontrollimit të tyre janë gjetur dhe janë konfiskuar si prova materiale: një veturë me targa vendore, dy qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit mariuhanë me peshë rreth 1425 gramë (1 kg e 425 gramë).
Pas konfirmimit të urdhrit verbal, njësia policore nga DHTN në asistencë nga NjRSh- Gjakovë ka zbatuar urdhër-kontrollin në pronën/shtëpinë dhe dyqanin e njërit nga të dyshuarit, ku gjatë kontrollit si provë materiale janë gjetur dhe janë konfiskuar: para në vlerë prej 14075 euro (14 mijë e 75 euro), një (1) qese najloni e mbushur me substancë e dyshuar për narkotikë e llojit mariuhanë me peshë rreth 536 gramë, dy (2) telefona mobilë, një armë zjarri/revole, një (1) karikator dhe 12 fishekë të kal 9×19 mm.
Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit ndalohen në ndalim policor ndërsa rasti i kompletuar u dedikohet njësive policore kompetente për trajtim të mëtutjeshëm.