Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se sot është bërë mbyllja e pesë institucioneve paralele ilegale në veri.
Ai ka njoftuar se komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë “Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit”.
“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ai njoftoi gjithashtu se këto pesë sot i bashkohen shtatë komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”.
“Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë”, ka shkruar ai.