Policia e Kosovës në bashkëpunim me organe tjera ligj zbatuese, e Qendrat për Punë Sociale ka zbatuar një plan operativ, të identifikimit të fëmijëve lëmoshëkërkues në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit.
Kjo është bërë në tërë territorin e vendit nga 25 deri më 29 tetor.
“Gjatë zbatimit të këtij plani operativ janë kryer këto veprime. Identifikimi i 18 fëmijëve lëmoshë kërkues, prej tyre 11 shtetas kosovarë dhe shtatë shtetas të Shqipërisë. Identifikimi i 24 lëmoshë kërkuesve të rritur, prej tyre 11 shtetas kosovarë dhe 12 shtetas të Shqipërisë”, thuhet mes-tjerash në komunikatë.
Për një lëmosh kërkues, kjo punë ditore që bën nuk është se i sjell përfitime të mëdha.
“Pesë, gjashtë deri në tetë euro, më shumë jo. Më mirë me lyp, se me vjedhë”, tha ai.
Ndërsa, për sociologen Flaka Ymeri numri i rasteve të tilla në vend kohën e fundit është në rritje.
“Rritja e këtyre rasteve i shkakton faktori ekonomik, kushtet e rënda, mirëqenia jo e mirë nga institucionet, papunësia”, tha ajo.
Kjo fajëson institucionet e vendit për këtë çështje.
“Nuk ka trajtim për këtë kategori, as për fëmijët as për të rritur sepse sikur të kishte fushatë sensibilizuese do të ishte numri më i vogël”, shtoi ajo.
Në konsultim me Prokurorët përkatëse, fëmijët janë referuar për në Qendrat e Punës Sociale përkatëse për trajtim të mëtejmë.