I riu Azem Shaqiri nga fshati Klinë e Ulët e Skenderajt, gjatë ditës së djeshme është ndarë nga jeta në rrethana ende të paqarta. 28-vjeçari fillimisht u dërgua në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, e më pas u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, ku edhe u konfirmua vdekja e tij nga stafi mjekësor,
Sinjali ka mësuar detaje të reja nga ngjarja tragjike që tronditi Skenderajn.
Sipas burimeve, gjatë ekzaminimeve në vendin e ngjarjes janë gjetur një sëpatë, një litar dhe një telefon celular.
Ndryshe, rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar mbrëmë edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti tha se prokurori i rastit ka urdhëruar hetime për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Ndërkohë për vdekjen e Azemit kanë njoftuar edhe familjarët e tij dhe tifogrupi i Drenicës ‘Shqiponjat e Zeza’ ku i ndjeri ishte anëtar.
“Qyteti jonë sot në zi! Sot Drenica ka humbur njërin ndër tifozët më besnik e ne një antarë të pashoq! Azem, sot jemi të mërzitur tejmase me ikjen tënde por ti do mbetesh gjithmonë i gjallë tek ne! Shqiponjat e zeza shprehin ngushllimet më të sinqerta për familjarët e vëllaut tonë dhe bashkëndjejmë dhimbjen me ta sepse humbja e tyre është edhe humbja jonë!”, thuhet në reagim.