Policia e Kosovës e ka shtyer për një afat të pacaktuar intervistimin e rreshterëve të cilët po synojnë gradën e togerit, që ishte planifikuar të fillonte para dy ditësh, më 2 mars.
Ky vendim ka ardhur pasi Gazeta Sinjali një javë më parë publikoi ekskluzivisht dëshmitë që provojnë se masat e sigurisë të aplikuara me rastin e testimit, jo vetëm se ishin të thyeshme, por të njëjtat u kanë mundësuar kandidatëve që të mbajnë edhe pajisje fotografimi, me të cilat disa nga ta arritën që t’i fotografojnë pyetjet dhe t’ua shpërndajnë kandidatëve të tjerë.
Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Policia e Kosovës ka pohuar se intervistimi është shtyer për shkak të këtyre fotografive, ani pse një javë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj kishte mohuar kategorikisht se testi ka mundur të fotografohet e të shpërndahet.
“Policia e Kosovës, intervistën për gradën Toger e cila ka qenë e planifikuar të filloj me datë 02.03.2020 e ka shtyrë për një afat të pacaktuar pas publikimit të disa fotove me pyetje të testit me shkrim në një portal”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Për dështimin e mbarëvajtjes së testimit, Policia thotë se i ka kërkuar Inspektoratit Policor të Kosovës që t’i nisë hetimet, ndonëse insistojnë se publikimi i fotografive nuk ka pasur efekt në këtë proces.
“Publikimi i fotove nuk ka pasur efekt tek grupet pasuese dhe në proces sepse testet kanë qenë të ndryshme për secilin grup dhe ka ndodhur disa ditë pas fazës së testit me shkrim. Edhe përkunder faktit se publikimi i fotove nuk ka ndikuar në proces, Policia e Kosovës ka kërkuar nga Inspektorati Policor të fillojë hetimet sepse publikimi i testit është shkelje e rregullave dhe procedurave”, theksohet në përgjigjen e Policisë.
Policia insiston se kanë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për mbarëvajtjen e testimit.
“Përkundër faktit që Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për testim: duke mos lejuar telefonat mobil gjatë gjithë kohës testimit me shkrim për asnjë zyrtar qe i është nënshtruar testit dhe stafit mbështetës brenda në sallë, organizimit te procesit të testimit të ndarë në grupe dhe lloje të ndryshme të testit për secilin grup, ku pyetjet janë përzgjedhur në mënyrë elektronike nga fusha të ndryshme të policore”, thuhet në përgjigjen zyrtare të policisë, ku njoftohet se “i tërë procesi ka qenë gjithnjë nën mbikëqyrje të Komisionit dhe Panelit të formuar për menaxhimin e këtij procesi”.
Më 4 dhe 5 shkurt të këtij viti, mbi 700 zyrtarë të Policisë së Kosovës me gradën rreshter, ia mësyen testit për t’u avancuar në gradën e togerit, në fazën e dytë të së cilit rezultatet pozitive u rritën jashtëzakonisht, duke bërë që të trefishohej numri i kandidatëve që e kaluan testin me shkrim.
Gazeta Sinjali kishte publikuar fotografitë që u janë bërë pyetjeve të testit me shkrim, e që dyshohet se u ishin shpërndarë paraprakisht rreshterëve që po synojnë gradën e togerit. I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, kishte mohuar kategorikisht se testi ka mundur të fotografohet e të shpërndahet.
Qalaj ksihte thënë se testet janë konfidenciale dhe se “është e pamundur qe dikush të ketë pasur mundësi që t’i ketë ato para dhe pas testimit”.