Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka shpërndarë disa këshilla për përdorim të sigurt të internetit.
Përgjatë këtyre këshillave theksohet se përpara se të klinikoni në ndonjë link, duhet verifikuar me kujdes linqet që përdoren në rrjetet sociale.
Tutje theksohet që nuk duhet klikuar në linqe të dyshimte dhe të mos hapen dokumente të tilla,
Me qëllim që të minimizohen rreziqet dhe kërcënimet në internet, e që qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve për kujes të shtuar gjatë përdorimit të internetit në çfarëdo situate.
Njoftimi i plotë:
Këshilla për përdorim të sigurt të internetit
Marrë parasysh se shumica e qytetarëve në vendin tonë, përfshirë të gjitha shtresat e shoqërisë, e përdorin internetin, ekzistojnë rreziqe dhe kërcënime të ndryshme në internet ku qytetarët bien apo mund të bien viktimë e krimeve kibernetike apo krimeve që mundësohen të kryhen përmes internetit. Një nga rreziqet dhe kërcënimet është edhe mënyra e cekur më lart e cila është mjaft e shpeshtë. Fatkeqësisht, në shumë raste dëmi, qoftë material apo psikologjik, është mjaft i madh dhe pothuajse i pakthyeshëm.
Me qëllim që të minimizojmë këto rreziqe dhe kërcënime në internet, që qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të internetit.
Në vijim janë disa rekomandime të cilat ndihmojnë përdoruesit e internetit në mbrojtjen prej kërcënimeve nga interneti:
– Para se të klikoni në ndonjë link, verifikoni me kujdes linqet që i pranoni në rrjete sociale (mesenxher);
– Mos klikoni në linqe të dyshimta dhe mos hapni dokumente të dyshimta!
– Shmangni lojërat shpërblyese në internet apo “ndihmën duke klikuar” në kërkesat e ndonjë miku për të fituar ndonjë shpërblim në lojëra në internet; Verifikoni paraprakisht me miqtë nëse ata u kanë dërguar apo jo linkun.
– Verifikoni me kujdes e-mail-at që pranoni dhe mos iu përgjigjni e-mail-ave të dyshimtë!
Gjithashtu, meqenëse kemi raste kur bizneset bien viktimë e mashtrimeve dhe falsifikimeve të ndryshme kompjuterike, u bëjmë apel edhe bizneseve që të shtojnë kujdesin gjatë komunikimit dhe transaksioneve financiare përmes internetit. Verifikoni xhirollogaritë bankare dhe të dhënat tjera të partnerit biznesor dhe binduni se transaksioni financiar është duke u bërë në adresën e duhur.
Ndër tjera, u bëjmë apel qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë blerjeve online.
– Verifikoni ueb-faqet që ofrojnë produkte online (a kanë të dhëna kontaktuese – persona kontaktues, e-mail adresë, telefon, adresë fizike, a ka përdorues, vlerësimet dhe komentet e blerësve etj.).
– Kujdes të shtuar gjatë dhënies së donacioneve online, verifikoni disa herë nëse iniciativa është ligjore dhe legjitime dhe se kush qëndron prapa tyre.
– Kujdes maksimal kur jepni të dhëna personale dhe bankare në internet!