Policia e Kosovës ka kryer bastisje në disa lokacione në Shtërpcë, ku strukturat ilegale serbe kishin vendosur kamera, në mënyrë që preisdenti serb, Aleksandar Vuçiq të shihte me figurë gjithçka çfarë ndodh.
Me urdhër të Gjykatës së Ferizajt, në një aksion që po vazhdon ende dhe që po mbikëqyret nga Prokuroria, Policia mëngjesin e sotëm ia ndali Vuçiqit transmetimin ‘live’ nga Shtërpca, shkruan Express.
Policia sekuestroi kamerat që ishin vendosur nga strukturat ilegale serbe në disa pjesë të vendit. Në pamjet e regjistruara nga këto kamera kishte qasje edhe Vuçiqi.
Këto kamera dyshohet se monitoroheshin nga një shkollë, nga një televizion lokal, si dhe nga një vend afër postës së qytetit në Shtërpcë. Prokurori Rasim Maloku tha se pamjet e regjistruara janë përcjellur deri te strukturat e sigurisë në Serbi.
Në maj u bë e ditur se pamjet nga komunat në veri të vendit transmetohen deri në Beograd. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kishte mbajtur një konferencë për media, ku kishte ‘konfirmuar’ se ka qasje në pamjet e kamerave të vendosura nga strukturat e tij ilegale në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Prapa shpinës së Vuçiqit ishte një monitor ku shfaqeshin pamje. Vuçiqi pretendonte se ishin të datës 5 maj, e ku ai evidentonte se një automjet i FSK-së kishte lëvizur në veri të Kosovës.
“Shikoni, kjo është ajo çfarë Thaçi ka nënshkruar, që FSK-ja nuk do të duket në veri të Kosovës. Publikoni pamjet. Këto janë foto të ditës së djeshme dhe të pardjeshme, një veturë me tabela të FSK-së në veri të Mitrovicës”, shprehej presidenti serb.