Mungesa e sigurimeve shëndetësore vazhdon të jetë një prej problemeve më të mëdha për Policinë e Kosovës, e cila aktualisht është policia e vetme në rajon pa asnjë lloj sigurimi. Aktualisht Sindikata e Policisë po kërkon një sigurim alternativ shëndetësor.
Sindikata e Policisë po vazhdon të luftojë për të siguruar sigurim shëndetësor për uniformat blu, duke thënë se pa këtë sigurim, do të jetë e vështirë të ndërtohet një sistem efikas policor.
Kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, thotë se sigurimi është nevojë jetike, megjithatë edhe Ligji për Policinë do të plotësohet dhe ndryshohet, praktikisht nuk do të ketë mundësi implementimi për tri ose pesë vitet e ardhshëm.
“ Ne kemi analizuar duke llogaritur të gjitha procedurat. Qe ky ligj edhe nëse draftohet, nuk ka gjasa që të bëhet para tre ose pesë viteve”, deklaroi ai.
Në përpjekje për të shtyrë përpara çështjen e sigurimit shëndetësor, Sindikata e Policisë ka biseduar me Byronë Kosovare të Sigurimeve për koston financiare të sigurimit shëndetësor dhe jetësor për punonjësit e policisë.
Zeqiri thotë se ata kanë marrë një lloj udhëzim nga Byroja e Sigurimeve për mënyrën e një sigurimi alternativ.
“ Për sigurim alternativ të bëjmë një marrëveshje me një kompani private të sigurimeve. Kërkesa që kemi adresuar edhe te ministri dhe të Qeveria është që të sigurohen rreth 5 milionë euro për sigurimin shëndetësor për të gjithë pjesëtarët e PK dhe stafit civil”, deklaron Zeqiri.
Në rastet e problemeve të ndryshme shëndetësore, policët paguajnë vetë shpenzimet shëndetësore, kurse në rastet e lëndimeve gjatë detyrës, ata paguhen nga një fond i brendshëm i Policisë.
Deputeti Ferat Shala thotë se për Policinë e Kosovës do të duhej të kishte ligj të veçantë që rregullon sigurimin e tyre.
“Ne jemi vonuar dhe po vonohemi ende për shkak të neglizhencës së Qeverisë dhe mos gatishmërisë për të filluar këtë proces ku dhe në projektbuxhetin e viti nuk e shohim një gjë të tillë që kanë planifikuar institucionet e vendi”, konsideron Shala.
Deri me tani në krye të detyrës kanë humbur jetën 22 zyrtarë policorë dhe janë lënduar 359 të tjerë. Ndërsa aktualisht 259 zyrtarë policorë kanë probleme serioze shëndetësore./RTK/