Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të suksesshëm për parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe të gjitha formave të kontrabandës, që përfshijnë zonat kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me atë të Serbisë si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sveçla tha se në këtë operacion janë mbyllur dhe pamundësuar rrugët ilegale të shfrytëzuara nga kontrabanduesit.
“Kjo dëshmon forcimin e shtetit ligjor, parandalimin e kontrabandës dhe trafikimit të mallrave përmes rrugëve ilegale, duke mbyllur dhe pamundësuar rrugët ilegale të shfrytëzuara nga kontrabanduesit. Përmes vazhdimit të luftimit dhe parandalimit të kontrabandës, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe zbatueshmërisë së ligjit, institucionet e Republikës së Kosovës kujdesen për mirëqenien, shëndetin dhe krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, përfshirë ata që jetojnë në zonat kufitare”, ka shkruar Sveçla.