Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e Besnik Dautaj, nga Shtupeli i Klinës, i kërkuar për veprat penale mashtrim dhe vjedhje.
Kjo shpallje u bë të premten pasdite nga Policia Rajonale në Pejë, e ku menjëherë është lajmëruar vet Besniku.
Ai ka thënë se ndodhet në Belgjikë që 10 vjet dhe se nuk ka asnjë rast të hapur në Kosovë.
Ndërsa vëllai i Besnikut, Faruku, ka thënë për IndeksOnline se janë shqetësuar si familje dhe kanë marr shumë telefonata nga miqtë pas publikimit të fotos se Besnikut.
Ai ka qenë në gjykatë ku ka nxjerr aktvendimin për vëllain e tij, i cili është liruar nga akuza.
Në aktvendimin që ka sjell Faruku, thuhet se: 1.Hudhet propozimakuza e Prokurorisë Komunale në Pejë, PP.Nr.2389/2011 të datën 15.05.2012, kundër të pandehurit Besnik (Jashar) Dautaj dhe një personi tjetër nga fshati Shtupel i Komunës së Klinës.
2.Pushohet procedura penale ndaj të pandehurve të theksuar si në pikën 1 të dispozitivit të këtij aktvendimi, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale për veprën penale për të cilën akuzohet.
“Gjykata ka ndërmarrë disa veprime procedurale, ka lëshuar urdhër arrest e poashtu edhe letërreshtim vendor, mirëpo i pandehuri ka qenë i paarritshëm në shqyrtimin gjyqësor dhe sot (10.12.2017) konstaton se kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga kryerja e veprës penale, kështu që ka arritur parashkrimi absolut i kësaj çështje penale”, thuhet në aktvendim.
Andaj gjykata e ka hedhur propozimakuzën të lartcekur, me arsyetim se ka skaduar afati i parashkrimit absolut i ndjekjes penale, pasi që kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga data e kryerjes së veprës penale të vjedhjes, nga neni 252 par.I lidhur me nenin 23 të KPK-së, për të cilën është paraparë dënimi deri ne tri vite me burg, me çka rezulton fakti se janë përmbushur kushtet ligjore për marrjen e këtij aktvendimi për parashkrim absolut të veprës penale të cituar si më lartë, për të cilën është ngarkuar i pandehuri, Besnik Dautaj.