Policia e Kosovës njoftoi se sot ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë në pikën kufitare në Bërnjak që lidh vendin tonë me Serbinë.
Sipas policisë, kjo është bërë për shkak të krijimit të kushteve më të mira pune.
“Referuar nevojës së përmirësimit të kushteve të punës për zyrtarët policorë të kufirit në Bërnjak, të cilët kanë punuar në kushte jo të mira, sot Policia e Kosovës ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë, të cilat do t’ju shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe sigurisë publike”, thuhet në komunikatën e policisë.
Sipas policisë, me qëllim të krijimit të hapësirave dhe kushteve më të mira për punë në ambientet policore, në vazhdimësi planifikohet përmirësimi i kushteve të punës dhe ngritja e kapaciteteve logjistike.
Policia e Kosovës thotë se do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve dhe vendit.