Policia e Kosovës ka nisur sot aksionin e radhës në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, ka thënë se ky aksion lidhet me rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Konfirmoje aksionin, ai po zhvillohet në të katër komunat që lidhet me rastin në Banjskë”, ka thënë ai.
Ndryshe, Më 24 shtator tensionet u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, ku vdiq polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre terroristë serbë.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të, teksa përgjegjësinë e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.