Në emisioni e sotëm të “Drejtësia në Kosovë” u transmetua pjesa e dytë e rrëfimit të policit Rifat Goxhuli, për vrasjet që ndodhën në Skenderaj.
Rifat Goxhuli tash e një kohë po jeton jashtë Kosovës, pas ngjarjeve të cilat i ndodhën atij dhe familjes së tij deri sapo ushtronte profesionin e tij në stacionin Policor në Skenderaj.
Në emisionin e javës së kaluar, Rifat Goxhuli kishte treguar që nga fillimi të gjitha ngjarjet të cilat përfunduan me dy vrasje e disa të plagosur.
Në po të njëjtin emision ishin trajtuar edhe çështjet se si ishte neglizhuar rasti i policit kur ishte sulmuar ai dhe familja e tij ku gruaja e Rifatit kishte marrë edhe plagë nga arma e zjarrit që ishte gjuajtur në drejtim të shtëpisë së tij.
Prokurori kujdestar në kohën kur kishte ndodhur sulmi ndaj Rifat Goxhulit, me anë të një bisede të transmetuar në emisionin e kaluar, ishte dëgjuar deri sa i shpjegonte Rifatit se zyrtarët policor që kishin shkuar në vendin e ngjarjes nuk i kishin treguar se një zyrtar policor dhe familja e tij ishin sulmuar ku pati edhe të plagosur.
“Dike e kanë penguar ato prova, dikush është munduar mos me i kyç në rast edhe pse kanë qenë në rast. Nëse mundesh me vërejtë, në dokument shkruhet një qese e najlonit me ngjyrë të gjakut. Këto prova janë shkatërruar qëllimisht. Jo nuk dihet kush i ka shkatërruar, kjo si interesoj as prokurorit. Është dashtë me e pastru gjurmët e gishtave dhe të gjakut të rastit të parë, kanë qenë prova që dyshohet se kanë qenë të të njërit Bekimit (Bekim Birinxhiku, i vrarë disa vite më parë nga vëllai i Rifat Goxhulit, Valon Goxhuli) edhe është e mundur që ka pasur edhe shenja të gishtave në tokë”, tha Goxhuli në një video-intervistë për Drejtësia në Kosovë.
I pyetur në lidhje me zhdukjen e provave dhe relevancën e tyre në rastin e parë ku pas një prite që i ishte bërë të vëllait, pati mbetur i vdekur një person Bekim Birinxhiku, Goxhuli tregon se janë të rëndësishme.
“Kanë pasur relevancë sepse në fillim janë munduar, se gjoja na nuk e kemi sulmuar kurrkënd dhe s’kemi pasur asnjë mjet të fortë, ato vetëm i kanë mbledhur nëpër rrugë çka po di ku dikun dhe gjoja se vëllai e ka pasur dorën e lënduar para 2-3 muaj kur ka pas ndodh një aksident me autobus ë policisë, e gjoja aty e ka pasur dorën e lënduar e ne se kemi prekur as kurrgjë. Eksperti ligjor, i njëjti pranon se këto prova i kishte ekzaminuar, por i njëjti pranon edhe se nuk ka pasur asnjë gjurmë në tokë. Është një deklaratë e tij në gjykatë dhe raporti i tij që është dërguar në gjykatë. Mirëpo po të them se është raporti i IPK ditën kritike kur janë ardhur në vendin e ngjarjes, janë fotografitë dhe provat që kanë qenë këto gjurmë”, rrëfen tutje Goxhuli.
Goxhuli thotë se kishte kërkuar të dijë se kush i kishte shkatërruar këto prova por që asnjëherë nuk kishte marrë një përgjigje.
Në emisionin e kaluar ishte treguar se si fillimisht kishte ndodhur ngjarja.
Vite më parë, një veturë në të cilën gjendej Bekim Birinxhiku i kishte dalë në pritë, Valon Goxhulit, ky i fundit ish- polic i Kosovës.
Në atë pritë kishte pasur edhe të shtëna armësh ku mbeti i vrarë Bekim Birinxhiku. Pas përballje me proces gjyqësor, Valon Goxhuli i cili kishte qëlluar Bekim Birinxhikun ishte shpallur i pafajshëm.
Por ngjarjet të cilat kishin ndodhur më vonë u bënë vetëm më kritike.
Rifat Goxhuli, kishte treguar për “Drejtësia në Kosovë” se deri sa po zhvillohej procesi gjyqësor ndaj vëllait të tij ai kishte marrë informata se dëshmitarët ishin kërcënuar dhe kishte nisur hetimin e këtij rasti.
Vetë dëshmitë që i ka prezantuar Goxhuli për “Drejtësia në Kosovë” treguan se si një nga dëshmitarët që kishte parë rastin e pritës së Bekim Goxhulit ndaj Valon Goxhulit, nuk e kishte thekësuar këtë në deklaratën para policisë.
Dëshmitari kishte treguar se ishte kërcënuar e nga ajo nuk i kishte rënë në mend që të tregonte saktësisht ngjarjen e cila përfundoi me vdekjen e Bekim Birinxhikut