Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Artur Mrasori i cili mbeti i plagosur si pasojë e një eksplozivi që shpërtheu në shtëpinë e një të dyshuari ku po kryhej aksion policor të martën mbrëma në Zhur të Prizrenit po vazhdon të jetë i shtrirë në sallë intensive të QKUK-së.
Por intervenimi kirurgjik për të cilin ka nevojë Mrasori nuk mund të bëhet në QKUK.
Kjo është konfirmuar edhe nga Drejtori i Klinikës Intensive në QKUK, Shaqir Uka.
“Për momentin gjendja e përgjithshme po paraqitet si stabile në Qendrën Intensive Qendrore. Vazhdojmë përcjelljen e tij dhe trajtimin e tij të mëtutjeshëm, në orët e ardhshme presim vendimin e koncerziumit të mjekëve për trajtim të mëtutjeshëm të trajtimit kirurgjik të syrit të majtë. Intervenimi kirurgjik që i nevojitet pacientit nuk ka mundësi të bëhet në QKUK”, tha Uka për Indeksonline.
Duhet përkujtuar që në aksionin e së martës në Zhur të Prizrenit humbi jetën polici Sami Thaqi, i plagosur mbeti Artur Mrasori dhe lëndime të tjera trupore pësoi edhe Jetmir Hasanaj.
Ishte pikërisht Iran Badalli i cili i vuri në kurth policët e Kosovës, duke u vënë eksploziv pas derës së shtëpisë në mënyrë që eksplozivi të shpërthente në momentin kur ata do të fillonin bastisjen.
Badalli njihej për vepra të ndryshme penale, por që së fundi mori edhe jetën e një polici dhe la të lënduar dy të tjerë.
Ndryshe pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të mos kenë as sigurim shëndetësorë, një nga kushtet elementare për punë./Klinainfo