Polici Amir Hoxha, javën e kaluar është suspenduar nga Policia e Kosovës për shkak se kishte thyer rregulloren e brendshme të policisë, ku me vendim të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj, policëve u ndalohej të bënin statuse apo komente politike nëpër rrjetet sociale.
Një status në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka bërë që pjesëtari i Policisë së Kosovës, Amir Hoxha të bëhet protagonist medial ditëve të fundit. Status në të cilin ai kritikonte shpenzimet e deputetëve në karburante dhe ankohet për kushtet e punës në Policinë e Kosovës.
Menjëherë pas suspendimit, mediat dhe opinioni publik i doli në mbështetje masive policit Hoxha duke e përkrahur dhe solidarizuar me të sa që arriti deri në përmasat e një heroi.
Por në një hulumtim të bërë nga IndeksOnline, polici Hoxha del të jetë jo krejt i pastër ligjerisht siç paraqitet në opinion.
Burime të IndeksOnline bëjnë me dije se polici, Amir Hoxha në nëntor të vitit të kaluar është ndaluar në afërsi të pikës kufitare të Bajakovo të Kroacisë, me dyshime e bazuar se ai është përfshirë në një rast të ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror në kufirin kroat. Hoxha për këtë ngjarje është suspenduar nga Policia e Kosovës me datë 09.11.2021, sapo është kthyer në Kosovë.
Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve, IndeksOnline ka kontaktuar me policin në fjalë për ta pyetur më hollësisht për rastin. Ai e ka pranuar që është dënuar nga shteti kroat, por siç thotë ai jo për vepër penale, por për kundërvajtje.
“Po kam qenë i suspenduar pa bazë për kundërvajtje në një shtet të huaj ku edhe padrejtësisht me është inicuar procedurë nga Policia e Kosovës”.
I pyetur nga IndeksOnline se për çfarë rasti bëhet fjalë, Hoxha ka thënë se gjatë rrugës ka marrë një person të panjohur në veturë, por që nuk ishte në dijeni se ai nuk posedon dokumentacionin e nevojshëm për kalim të kufirit.
Për rastin në Kroaci, ai nuk e kishte njoftuar Policinë e Kosovës, por këtë e kanë bërë autoritetet kroate, përmes zyrës ndërlidhëse.
Kroatët më të kuptuar se Hoxha është pjesëtar i Policisë së Kosovës, e kanë trajtuar rastin në mënyrë të përshpejtuar dhe i njëjti, pasi që është mbajtur në stacion për rreth 6 orësh, është dënuar me gjobë prej 2000 eurove.
Gjithnjë sipas burimeve jozyrtare, rasti fillimisht ka shkuar në Inspektoratin e Policisë së Kosovës, por duke qenë se polici Amir Hoxha kishte vendim të formës së prerë IPK e ka dërguar rastin te Standardet Profesionale e cila vepron në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme në Policinë e Kosovës.
Ky institucion për këtë rast ka formuar një komision ku polici Hoxha e ka dhënë një intervistë, ndërsa herën e dytë nuk ka shkuar me pretekstin se ka arsye shëndetësore.
I pyetur nga IndeksOnline për të gjitha këto, polici Amir Hoxha shprehet: “Unë nuk e di kah po dalin këto informata. Dikush duhet me dhanë përgjegjësi. Unë do ta dorëzoj rastin në inspektorat. Ata që me kanë hetuar ose kushdo qoftë duhet me dhënë përgjegjësi që po lëshojnë këso informacione. I kam shkruar edhe Ambasadës amerikane për këtë rast, sepse dikush po tenton mem denigru me gjëra që s’kam bërë kurrë, ju mund të vazhdoni me tuajën, unë do të vazhdoj me anën ligjore, ato informata janë konfidenciale nuk guxojnë zyrtarët e shtetit me i dhanë. E kam marrë një kundërvajtje në shumën prej 2000 euro e kam pagu edhe kaq ma shumë nuk ka”.
IndeksOnline ka insistuar që polici të na e dërgojë dënimin që e ka marrë dhe arsyet se pse është dënuar, mirëpo ai thotë se kjo është sekret personal dhe nuk duhet të bëhet publike pasi që rasti është ende duke u trajtuar.
Ka dy ditë që redaksia e IndeksOnline ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për të kërkuar informacione për këtë çështje mirëpo ende s’kemi marrë përgjigje.