Policëve të dorëhequr në veri të vendit iu janë ndalur rrogat, ndërkaq vetëm gjysmën e pagës vazhdon ta marrë ish – komandanti i policisë së veriut Nenad Gjuriq, i cili ishte suspenduar nga puna.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka konfiruar këtë në Komisionin për Administratë Publike, duke thënë se prej momentit kur ata nuk janë paraqitur në punë u janë ndërprerë rrogat.
Sveçla gjithashtu tha se 80 nga policët e dorëhequr janë larguar nga shërbimi policor, pasi sipas tij kanë pasur procedura të hapura disiplinore e penale.
“Sipas rregullativës së brendshme të policisë përderisa dikush është në proces të dorëheqjes dhe është në proces hetimor dorëheqja i pranohet”- shtoi Sveçla.
Ndërkaq sipas tij pjesa prej rreth 441 policëve tjerë janë duke u kontaktuar me kërkesën që të deklarohen se kjo dorëheqje a është shkaku i presioneve.
Sveçla tha se ata të cilët kthehen në punë do t`u vazhdohet marrëdhënia e punës.
Sa i përket drejtorit të suspenduar Nenad Gjuriq, Sveçla tha se atij i ndalet paga 50 për qind sepse është i suspenduar nuk ka dhënë dorëheqje.
Në fillim të nëntorit Drejtori i Policisë në veri të Kosovës, Nenad Gjuriq është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.