1981
Viti 1981
Ka filluar më 11 mars ditën e mërkurë
Në Qendrën e Studentëve të Universitetit
Të Prishtinës
Viti 1981 nuk ka mbaruar më 31 dhjetor
Siç kishin paraparë ata që i bënë gjyqin
Ata që e akuzonin të 1913-ën të 1945-ën
Pse nuk paskan projektuar më shumë robëri
Për vitin 1981
Nuk na nxinte burgu të gjithëve
As objektivi i fotoaparateve të udbashëve
Studentët vinin lumë nga kohë e shkuar
Lumë vraponin drejt ditëve të ardhshme
Në vitin 1981
Që ka filluar më 11 mars
Dhe nuk ka përfunduar më 31 dhjetor
Siç kishin paraparë ata që i bënë gjyqin
PASTAJ NUK TË PASHË
(pas 44 vjetësh)
Sot vetëm në dritën e një syri që nuk lëviz
ti je ajo e bukura e atij marsi Republikë.
Nuk ta shoh askund fytyrën që na jepte kurajë
gjatë seancave mizore të torturave zyrtare
me vetëm një pikë në rend dite:
“Shpartallimi i armiqve”.
Vetëm në qiellin e një syri që s’lëviz qerpik
ndiej si çelin zogj bulat e atij marsi Republikë.
Tash sa vjet malli më merr e malli më djeg
për atë mars uragan e për tënden fytyrë
në “parullën armiqësore” Kosova Republikë!
(mars 2025)
SË PAKU KUR HYN MARSI
Së paku kur hyn marsi
duhet të besoni
se Marsi është
Promete i atdheut
e Zeusi s’ka ç’i bën
as tash, as atëherë.
NGA KUJTIMET E MARSIT 1981
Po fryn marsi
kudo po tund e shkund pa fund gjithkund
prandaj heshtni o njerëz
ta dëgjoj vajin e vajzave të konviktit numër 5
të shtrira nën kërbaç të udbashëve shqiptarë
heshtni të nisem sall me veten
nëpër detin e dhimbjeve të Kosovës
me varkën time
plot vrima trupit të saj të moçëm
Së paku kur vjen marsi
nëpër shkallën këmbëthyer
më lini të zbres
deri në fund të dhimbjes
ta shoh republikën