Po hetohen të gjitha kontaktet që ka pasur italianja me koronavirus në Klinë, stafi mjekësor në pritje të ndihmës nga shteti
INDEKSONLINEE Diele, 15 Mars 2020 22:33
Klina është një nga tri komunat e Kosovës që janë në karantinë, vendim ky i Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi një person ka rezultuar pozitiv me koronavirus në këtë pjesë, e që bëhet fjalë për një italiane 20 vjeçare e cila erdhi për të punuar si vullnetare në një kamp në fshatin Leskoc.
Derisa gjendja e saj shëndetësore është e mirë, po vazhdohet edhe testimi i personave të tjera që e infektuara ka pasur me ta.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Hekuran Sejdiu, përmes një videomesazhi, ka apeluar të gjithë qytetarët që të jenë të qetë, duke iu siguruar që janë duke analizuar situatën dhe janë në gatishmëri 24 orë.
“Dua edhe përmes këtij formati të ndajë me ju shqetësimin tonë të përbashkët për gjendjen e krijuar ditëve të fundit rreth një sëmundje, rreth koronavirusit.
Është kjo gjendje një farë mënyrë e pazakontë për ne, është një gjendje që kërkon angazhimin e të gjithëve, kërkon mbështetjen e të gjithëve, kërkon solidaritet të përbashkët.
Klina tanimë ka një rast të infektuar me këtë virus dhe ne si nivel komunal, si shtab i krizës jemi duke analizu krejt situatën dhe jemi në gatishmëri 24 orë.
Në radhë të parë po analizojmë listën me kontaktet e pacientit që nga niveli i parë deri te i katërti që të kemi pasqyrë të mirë dhe me IKSHPK-në të krijojmë momente të përshtatshme për menaxhim sa më të lehtë të kësaj situate”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka shtuar tutje se si komunë kanë furnizimet e tyre të caktuara për ta përballuar situatën, por ka kërkuar edhe nga niveli qëndror që t’u shkojë në ndihmë.
“S’është problem vetëm i Klinës e i Kosovës, por problem nacional. Presim kontigjentin mbështetës nga Qeveria, që parasheh masat mbrojtëse për stafin mjekësor, listën me ilaçe, rrobat e posaqme për stafin mjekësor, në mënyrë që ta lehtësojnë procesin, punën dhe angazhimin.
Do të kërkoja vetëm një gjë nga ju qyetetar. Tani Klina është në karantinë, në izolim, por një gjë dua ta kuptojmë, ky izolim s’duhet të kuptohet si vendim i Qeverisë, por duhet të jetë urdhër që ne ja japim vetes.
Urdhëri jonë për ne. Ne duhet t’iu themi familjarëve që të qëndrojnë në shtëpi. Ne do ta ruajme kështu shëndetin tonë dhe të familjes, shëndetin publik.
Është një sfidë, por që do të kalojë, do të zgjas një javë dy apo.. por do të zgjas. Populli jonë ka kaluar shumë sfida e epidemi, por ja dalur. Kështu është natyra dhe vet jeta.
Do të kërkoja sa më shumë të rrini në ambiente familjare, sa më pak kontakte. Kjo është arma jonë më e mirë për momentin dhe më e mira për këtë kohë që mund t’ia bëjmë vetes dhe vendit.
Pa panik, të qëndruarit në familje s’është gjë e keqe, bile tani po e shohim që ky aspekt na ka munguar. Pra të dashur qytetarë të klinës besoj që këtë betejë të jemi bashkë. Me emër të Zotit do t’ia dalim dhe do t’i kthehemi normalitetit e aktiviteteve”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë që numri i të infektuarve në Kosovë ka shkuar në 9-të, tri nga rastet kanë të bëjnë me rastin e të infektuarës nga Malisheva, ndërsa një nga Podujeva./