Dy vite pas diplomimit, u ktheva në kampusin e Universitetit të Prishtinës. Ndryshe prej para pesë vitesh, kur aplikova për në drejtimin Gazetari të Fakultetit Filologjik, këtë herë nuk e pashë grumbullin e nxënësve të sapodalur nga gjimnazi që të emocionuar prisnim për dorëzimin e dokumenteve pranuese në fakultet. Ajo që pashë, më befasoi tej mase; korridoret e shumicës prej fakulteteve, ishin thuajse të zbrazura. Këtë vit, numri i nxënësve që po aplikojnë për t’u regjistruar në fakultetet e UP-së, ka rënë dukshëm. Këtë ma konfirmuan edhe administratat e Fakultetit Filologjik, Fakultetit Filozofik, Fakultetit Juridik dhe Fakultetit të Edukimit.
Universiteti i Prishtinës i ka 14 fakultete dhe këtë vit, planifikon që t’i pranojë 5 mijë e 497 studentë në programin Bachelor. Konkursi do të jetë i hapur deri më 19 korrik.
Të hënën, gazeta Nacionale qëndroi në disa prej fakulteteve, për të parë se si po shkon procesi i aplikimit për t’u bërë student i UP-së dhe biseduam me disa, prej pak studentëve, që prisnin për t’i dorëzuar dokumentet.
“Për gjuhë gjermane po aplikoj… por kam me dalë jashtë vendit”
Donika Beqiri nga Kamenica ishte duke pritur që t’i dorëzonte në administratë dokumentet e nevojshme për aplikim. Ajo dëshiron që ta studiojë gjuhën gjermane, por pas përfundimit të fakultetit, mendon që të udhëtojë jashtë Kosovës.
“Për gjuhë gjermane jam duke aplikuar, studimet zgjasin katër vite. Vij nga Kamenica, e di edhe gjuhën gjermane. Por unë kam me dalë jashtë vendit, veç po du me e pasë si fakultet të përfunduar”, tha Donika.
Lidhur me numrin e personave që kanë aplikuar për t’u pranuar si studentë, detaje për gazetën Nacionale ka dhënë Flutura Demaku – Zariqi, shefe e administratës në Fakultetin Filologjik.
Ajo na tha se vërehet numër më i vogël i aplikuesve, përveç në degën e Gazetarisë.
“Sot është dita e parafundit, domethënë edhe nesër studentët kanë mundësi të aplikojnë. Sivjet ka më pak studentë, përveç në gazetari që nuk ka ndryshuar shumë, vitin e kaluar në një drejtim ka pasë mbi 300 aplikime, sivjet më pak. Në drejtimin Gjuhë Angleze, deri më tani janë bërë 256 aplikime, në gjuhë gjermane 225 aplikime, gazetari 109, në gjuhë shqipe 13, në letërsi kanë aplikuar 18, gjuhë turke 13, gjuhë frenge 5, në Ballkanistikë 3 dhe në Orientalistikë 9”, tha Demaku – Zariqi.
Në Fakultetin e Filozofikut, nuk kishte shumë persona. Edhe ata që shiheshin në korridoret e këtij objekti, na thanë që ishin studentë e disa po prisnin për punë të tjera.
Nga administrata e këtij fakulteti, për gazetën Nacionale konfirmuan se ka rënie të nxënësve që duan të studiojnë atje. Madje na thanë se edhe në drejtimin ku ka pasur më së shumti aplikues, Shkenca Politike, këtë vit ka pasur rënie.
“Ka pasë më pak, zakonisht në Shkenca Politike dhe në Psikologji kemi pas numër më të madh, por këtë vit shihet se edhe në Shkenca Politike ka rënë. Në Shkenca Politike kanë aplikuar 45 studentë, histori 36, antropologji 4, arkeologji 6, psikologji 340, punë sociale 78, sociologji 29, filozofi 7”, kanë thënë nga administrata e Filozofikut.
Atje, biseduam edhe me një nxënëse e cila tha se shpresat i ka që të pranohet në degën e Psikologjisë, e madje u shpreh shumë optimiste se edhe do të gjejë vend pune.
“Po aplikoj për në psikologji, shpresat i kam se do të pranohem, uroj. Besoj që do të kem mundësi edhe që të punësohem, nëse e ke vetë iniciativën, mendoj se gjen edhe vend pune. Më 22 korrik e kemi testin pranues”, tha Ridvana Hajdari.
Në Fakultetin Juridik, siç ka qenë thuajse çdo vit, numri i studentëve që aplikojnë, por edhe që pranohen, është më i lartë.
Agim Bahtiri, zyrtar për mësim në këtë fakultet, për gazetën Nacionale tha se ka pasur një rënie të lehtë të numrit të aplikuesve.
Në Fakultetin Juridik parashihet regjistrimi i 500 studentëve, aplikant janë rreth 600, por të konfirmuar janë 416. Ka pasë rënie, por juridiku është i dyti më i kërkuari nga studentët, në krahasim me vitet e kaluara. Te ne ka aplikuar edhe ajo vajza që ka arritur më së shumti pikë në fakultet”, tha Bahtiri.
Situatë krejt ndryshe ishte në Fakultetin e Edukimit. Në këtë objekt mund t’i dëgjoje edhe insektet, ishte tepër qetësi.
Dorëzimi i aplikimeve po bëhej në sallën e Amfiteatrit. Mendova që sapo të hyj do të shoh një numër më të madh të personave, por ishin vetëm disa vajza. As radha nuk ishte e gjatë.
Imer Dragusha, zyrtar për Shërbimin e Studentëve në këtë fakultet, na tha se edhe atje ka pasur rënie të aplikuesve, madje llogaritet se janë diku rreth 200 persona më pak.
“Shumë më pak aplikues ka pasë, vitin e kaluar i kemi pasur rreth 800, këtë vit nuk po e dijmë a po e arrijmë 600 ose jo. Në drejtimin fillore janë 297 aplikues deri më tani, në atë parashkallor ose edukim i fëmijërisë së hershme, që është drejtim i ri, kanë aplikuar 174 persona, ndërsa në drejtimin e Pedagogjisë, 39”, tha ai.
Motoja “punësim dhe drejtësi” s’i mban qytetarët në Kosovë
Albin Kurti erdhi në pushtet me moton “punësim dhe drejtësi”, por siç e konfirmojnë edhe statistikat, nuk ia ka arritur që ta ndalojë ikjen e të rinjve nga vendi.
Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri kishte premtuar që arsimi i lartë do të jetë pa pagesë. Edhe ashtu ndodhi. Studentët e UP-së nga muaji tetor i vitit 2021, nuk kanë paguar për semestrin siç kishte ndodhur në vitet paraprake.
Sidoqoftë, duket se as ky vendim, nuk ka ndikuar që të rritet numri i studentëve.
Në Kosovë, vazhdimisht ka pasur raportime e deklarata të studentëve të diplomuar të cilët ankoheshin se nuk po mund të gjejnë vende pune. Në pamundësi që të punësohen, shumë prej tyre janë larguar nga vendi duke iu drejtuar shteteve perëndimore.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2021, nga vendi janë larguar 42 mije 729 qytetarë.
Raporti i ASK-së për vlerësimin e popullsisë për vitin 2021, thotë se pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legal.
“Gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 391 persona. Është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë: ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 7 353 persona; imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 4 122 persona dhe kanë emigruar 42 mijë e 728 persona”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së