Konfliktet mes të rinjtë jo rrallëherë kalojnë në përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Të tilla incidente shpesh eskalojnë edhe në përdorimin e mjeteve të forta e të mprehta, që përfundojnë me të plagosur. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në afërsi të një lokali në Pejë,
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Spitalit të Pejës kanë bërë me dije se dy persona janë dërguar atje me plagë të shkaktuara nga goditjet me një mjet të mprehtë, ku edhe kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Sipas informacioneve të para, viktimat u sulmuan nga dy persona ende të paidentifikuar, njëri prej të cilëve po dyshohet se i theri ata me thikë, pas një konflikti verbal për një gotë.
Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, por nuk ka arritur t’i arrestojë dy personat e dyshuar – pasi të njëjtit kanë ikur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve që zbardhin rrethanat e rastit.