Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës nga PDK, Ferat Shala, ka deklaruar se gjendja e ndërmarrjeve publike po vazhdon të mos jetë në nivelin e duhur, shkruan Gazeta inFokus.
Shala, në “Ekonomia n’Fokus”, është shprehur se fajtor për këtë gjendje është keqmenaxhimi i tyre.
“Sektori i përgjithshëm i industrisë dhe i ndërmarrjeve publike është lënë pas dore, skajshmërish është lënë pas dore. Për më keq të gjitha janë me keq menaxhim dhe me borde të përkohshme. Që nga shkurti i vitit të kaluar shumica e ndërmarrjeve të mëdha dhe korporatave publike, fatkeqësisht janë me borde të përkohshme”, ka thënë ai.
Shala, ka deklaruar se në krye të ndërmarrjeve publike janë vendosur militant partiakë, e kjo do të ndryshohet sapo PDK të marrë pushtetin.
“Dhe për më keq të gjitha janë me ato bordet të cilat janë jashtë natyrës profesionale, ekspertët e vendosur aty. Sepse janë shkuar militant partiakë, pra nuk kanë arritur me stabilizu. Në kuadër të planifikimit tonë të rimëkëmbjes në parashohim një rikonstruktim të thellë të tyre, një adaptim e kushtet e punës, me tregun e lirë dhe me kushtet e ekonomisë që kërkon. Edhe posta edhe Trepça edhe KEK-u, kanë nevojë për një legjislacion tërësisht të harmonizuar me praktikat dhe me një ekonomi të qëndrueshme”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Ferat Shala garon me numrin 14 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.