Incidentit që ndodhi sot në Prishtinë, ku mbeti i plagosur një person dyshohet se i parapriu një konflikt verbal mes të dyshuarve dhe viktimës. Ky i fundit u sulmua dhe u qëllua me armë zjarri nga të dyshuarit, të cilët akoma nuk janë identifikuar. Policia e ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se personi që u plagos me armë zjarri është Pajtim Gashi, i cili dyshohet se fillimisht është sulmuar në kokë e pastaj është qëlluar me armë në këmbë.
Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, personat e dyshuar që janë përfshirë në këtë rast dyshohet se janë arratisur nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit ‘BMW’.
Në vendin ku ndodhi rasti, zyrtarët policorë kanë gjetur rreth 5 gëzhoja, që dyshohet se janë të armës që u përdor.
Ndërkohë, lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë Rajonale në Prishtinë, Flora Ahmeti, e cila tha se Policia ka intervenuar dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.