Plagosja me armë zjarri te Bon Vivanti, Syla nga QKUK: 17 persona janë lënduar, një në rrezik për jetë

Prishtina u trondit mbrëmjen e 4 gushtit nga të shtënat me armë në lokalin Bon Vivant, pas një konflikti verbal mes disa të rinjve ku sipas informacioneve të para, 7 persona mbetën të plagosur, tre prej te cilëve kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Sipas burimeve të Sinjalit, një burrë është në gjendje të rëndë shëndetësore.Përveç tij, e lënduar ka mbetur edhe një vajzë dhe një roje sigurimi, të cilët e pësuan gjatë sherrit me armë brenda lokalit.

Për gjendjen shëndetësore të të lënduarve është deklaruar drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, i cili ka thënë se gjithsejt janë 17 të lënduar.

Sipas tij, një prej të lënduarve është në rrezik për jetë.

“Krejt i kemi 17 të lënduar. 7 janë me armë zjarri kurse 10 janë me lëndime të tjera, me xhama ose mjete të tupitura. Të gjithë janë në gjendje stabile, ndërsa njëri është në sallë të operacionit dhe është në rrezik për jetë. Ndërsa, prej këtyre gjashtë të tjerëve, një nga ta pret që të hyjë në sallën e operimit, por gjendja e tyre është stabile. Mosha e pacientëve sillet prej vitit 1984 deri në 2003”, ka deklaruar Syla.

Policia tashmë e ka konfirmuar rastin zyrtarisht, me ç’rast kanë bërë me dije se dy persona dyshohet se kanë gisht në sherrin te ky lokal.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 23:30, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal  në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.
 
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi. 

Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore .

Aktualisht së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në rast, përderisa po punohet edhe për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të mundshëm.