Pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak ende të mbyllura

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në orë e mëngjesit të së premtes dy pikat kufitare, ajo në Jarinë dhe Bërnjak.

QKMK njofton se në pikat tjerat kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës, e as në dalje.

Ndryshe, pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat e vendosura nga serbët në veri, që bllokuan rrugët për pothuajse tri javë rresht.

Barrikadat janë larguar në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Si erdhi deri te vendimi për heqje të barrikadave?

Njëzet ditë thirrje për largimin e tyre “ranë në vesh të shurdhër”. Qeveria e Kosovës po priste KFOR-in që të largonte barrikadat, e në anën tjetër ndërkombëtarët insistonin se barrikadat duhet hequr nga ata që i kanë vendosur.

Vetëm ndryshimi i aktakuzës të Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ndezi shkëndinë e ‘dorëzimit’ të serbëve në Kosovë në raport me barrikadat.

Me t’u bërë i ditur vendimi, mbrëmjen e 28 dhjetorit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u mblodh kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, me pjesëtarë të komunitetit serb për të diskutuar mbi mundësinë e heqjes së barrikadave.

I thirrur në “shërbim ndaj popullit të tij”, Vuçiq në takim hyri me idenë që do pranonte çdo përgjigje që i japin serbët, pro ose kundër heqjes së barrikadave.

Sidoqoftë, i njëjti doli nga takimi duke deklaruar se barrikadat do hiqeshin, mëngjesin e ditës së ardhshme, të enjten.

Paraprakisht, Vuçiq theksoi se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin, prej të cilave është kërkesa për mos ndjekje penale të personave që vendosën barrikadat.

Përderisa triumf për Serbinë e ka konsideruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq lirimin e Pantiqit në arrest shtëpiak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbetur i habitur me këtë vendim.

Kurti ka thënë se është kurreshtar ta dijë se cili gjyqtar e la në arrest shtëpiak Pantiqin e akuzuar për terrorizëm.

“Nuk e di çështjen gjyqësore procedurale te atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinjë për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar, në qëndrim të paraburgimit, ai ka statusin e të paraburgosurit. është i pandehur për terrorizëm. Ajo qe kam dëgjuar meqenëse ishte ne greve të urisë dhe kishte probleme me zemër, do mund të dërgohej në spital, qe është e kuptueshme, a është e arsyeshme e vendos gjyqësor, mirëpo kur ke një akuze për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak jam kurreshtar të di cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti dje në një adresim për media.

Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vendimi për zëvendësimin e masës ndaj Dejan Pantiqit, është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga siç ka thënë ajo institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit kushtetues.