Prodhuesi gjerman i makinave Volkswagen (VW) po pezullon prodhimin e dy modeleve të makinave elektrike në fabrikën e tij në Emden, Saksonia e Ulët, tha një zëdhënëse e fabrikës.
Linjat e prodhimit janë ndërprerë dje dhe pritet që sot dhe të hënën të jenë pa punë, tha zëdhënësja për mediat gjermane.
Ajo theksoi se atyre u mungojnë motorët elektrikë për modelet e makinave ID.4 dhe ID.7, por se do të vazhdojë prodhimi i modeleve Passat dhe Arteon me motorë me djegie të brendshme. “Vetëm prodhimi i makinave elektrike është ndalur”, tha zëdhënësja.
Sipas saj, shkaku kryesor i mungesës së motorëve janë ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit. Për shkak të mungesës së motorëve, VW tashmë ka njoftuar pezullimin e prodhimit në fabrikën në Zwickau, e cila prodhon vetëm makina elektrike.