Petrit Mazrekaj flet për meçin ndaj djalit të Arkanit: Meçi do zhvillohet me çdo kusht, ka shumëçka për të sqaruar në ring

Petrit Mazrekaj këmbëngul se meçi mes tij dhe djalit të Arkanit në boks do të zhvillohet.

Fillimisht ky meç ishte caktuar që të zhvillohet më 31 gusht të vitit 2019, por boksieri serb kërkonte që ky meç të zhvillohej vetëm në Serbi.

Pastaj, mes palëve ishte nënshkruar një marrëveshje që meçi të zhvillohej më 26 shtator të vitit të kaluar në Berlin, por që kjo nuk kishte ndodhur shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Megjithatë, boksieri nga Kosova për “Zeri.info” ka thënë se ky meç me çdo kusht do të zhvillohet, pasi që tani ky konsiderohet edhe më shumë se një meç.

“Për shkak të pandemisë meçi nuk ishte zhvilluar. Por, ky meç ka për t’u zhvilluar me çdo kusht, pasi që është në interes të të dy palëve. Si nga ana e kundërshtarit, por edhe e imja, ky meç është bërë shumë edhe personale, pasi kanë ndodhë shumë gjëra dhe fjalë, e krejt këto duhet mu sqaru në ring” – ka deklaruar boksieri nga Deçani.

Mbetet të shihet në vazhdim se kur saktësisht do të zhvillohet meçi i shumë pritur mes Petrit Mazrekajt dhe Veljko Raznatovicit