PETICIONI I QYTETARËVE TË KLINËS, KËMBANË ALARMI PËR PUSHTETIN LOKAL

Pas dhënies së pëlqimeve nga Komuna e Klinës për dy kompani për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror dhe karbonik në afërsi të fshatit Gremnik dhe fshatit Dollc, si dhe pëlqimin dhe kushtet e ndërtimit për fabriken e çimentos, gjithashtu në afërsi të fshatit Gremnik, qytetarët e këtyre lokaliteteve dhe të qytetit të Klinës kundërshtuan fuqishëm këto veprime të pushtetarëve të Klinës duke organizuar peticion. Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Klinë, menjëherë doli me komunikatë në mbështetje të qytetarëve dhe me veprime konkrete ndihmoi në masovizimin e nënshkrimit të peticionit. Ndërkaq, sot me datë 5 mars 2020 u mbajt seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Klinës e thirrur nga një grup i anëtarëve të Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe partive të tjera më të vogla, me një pikë të vetme të Rendit të Ditës: Shqyrtimi i peticionit të qytetarëve kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos.
PDK, Dega në Klinë, dëshiron që t’i falenderojë të gjithë qytetarët e Komunës së Klinës për mbështetje dhe nënshkrimin e peticionit. U deshtën 5000 nënshkrime të qytetarëve që pushtetarët e Komunës së Klinës të shkunden nga deliri pushtetar. Shkeljeve ligjore, injorimit të qytetarëve, mosdëgjimit të zërit opozitar duhet t’iu vjen fundi. Kryetari i Komunës dhe Drejtori i Urbanizimit në Klinë duhet të jepin llogari për dhënien e këtyre pëlqimeve në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe jo të mundohen që të përfitojnë politikisht duke dalur kundër vendimeve të veta sot në Kuvendin e Komunës. Pushtetarë, mos u tallni me qytetarë, mos prisni t’ua tundin edhe një herë këmbanën e alarmit. Uji, ajri dhe toka janë kushte elementare për jetë të shëndetshme.
Urime të gjithëve për anulimin e pëlqimeve të dhëna padrejtësisht nga Komuna e Klinës për ndërtimin e fabrikës së çimentos dhe veprimtarive të nxjerrjes së gurit gëlqeror e karbonik. PDK do të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesave të qytetarëve, përspektivës dhe të ardhmes së tyre.