Gjykata Themelore në Gjakovë, sot ka informuar se është dënuar me 5 vjet burgim dhe me 1000 euro gjobë i pandehuri F.Z për veprën penale “Grabitja”.
“I pandehuri F.Z., akuzohet se me datën 27 tetor 2018 rreth orës 03:00, në pompën e derivateve të naftës “A. P.” në fshatin Kramovik, në bashkëkryerje me të akuzuarit A. A. dhe Sh. Ll. të pajisur me armë zjarri dhe atë pushkë automatike AK-47 dhe revole, të maskuar shkojnë në pompën e derivateve të naftës “A. P.”, futen brenda në lokalin e pompës, fillimisht i pandehuri Sh. i pajisur me armë AK-47 më pas i pandehuri F. me një pistoletë dhe nën kërcenim e këtyre armëve i detyrojnë të dëmtuarit Sh. K. dhe R. S., punëtor në pompë që të shtrihen në tokë gjersa gjatë kësaj kohe të pandehurit nga arka marrin të holla të gatshme prej treqind (300) euro si dhe rreth njëqind (100) boksa cigare të llojeve të ndryshme e më pas largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të një pylli ku ndodhej duke i pritur i pandehuri A. A.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.