Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të presë sot në takim Emisarin e posacëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak dhe këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman dhe presidentit francez- Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.
Në takim do të jenë edhe këshilltari diplomatik i kryeministrit Italian Francesco Maria Talò dhe emisari i posacëm i SHBA-së, Gabriel Escobar.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kurtit, takimi do të zhvillohet nga ora 10:00.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim.
Për këto vizita, ka folur edhe Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Sipas Chollet, ky është një moment i rëndësishëm dhe shfaq shpresën se do të ketë përparim në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Përsëri, është shumë e rëndësishme që vizitat bëhen dhe që palët bisedojnë. Kjo vizitë është një vazhdim i vizitave të mëparshme, në fund të vitit të kaluar. Është një moment shumë i rëndësishëm. Arsyeja përse SHBA-ja po i bashkohet kësaj vizite, ka të bëjë me rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi dhe mbështetjen tonë për këtë proces. Nuk presim që kjo situatë të zgjidhet gjatë këtyre takimeve nesër. Por, është një pikë e rëndësishme kthese. Ne shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, ne shpresojmë të shohim përparim të vërtetë”, ka deklaruar Chollet për REL.
Këto vizita i kishte paralajmëruar Presidentja Vjosa Osmani, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
Osmani kishte thënë se emisarët do të vijnë për të dhënë përgjigje lidhur me pyetjet që ajo ka parashtruar rreth planit franko-gjerman.