Përshkrimi i ngjarjes historike të 13 Majit 1981

TAHIR MEHA, TRIMI QË LA TË VRARË 13 MAJN!

Dibran Fylli, regjisor/aktor

Burri i Dheut – trim i paepur, paraardhës i sakrificës Ademjashariane për atdheun, Tahir Nebih Meha u lind, më 10 tetor 1943, në Prekaz të Drenicës, Panteon i dëshmuar i shqiptarizmës.

I ndjekur nga i ati, 71 vjeç, Nebihu, Kullën stërgjyshore e ktheu në varr të hapur për pushtuesin jugosllav të tokave shqiptare, më 13 maj 1981. Gjyshi i Tahirit, Emin Lati ishte pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare Kaçake të Kosovës, bashkëluftëtar i Azem Bejtës. Ishte Burrë i vendit e i kuvendit, symprehti i Çetës. Pas vrasjes së Azem Bejtës, më 14 qershor 1924, Emini e ruajti pushkën e Azemit me admirim e me krenari dhe, më 1941, ia dorëzoi të birit, Nebihut, që ky ta nderonte shqiptarinë në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës në Sanxhak, pjesë historike e Shqipërisë. Pushka e Azem Bejtës në dorën e Nebihut shkëlqeu edhe në Luftën e Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Palluzhës dhe në Luftën e Tahir Mehës.
Krejt Kosova ishte ngritur në këmbë dhe po kërkonte lirinë, të drejtat e veta që shkeleshin me dekada e shekuj nga pushtuesi serb.

Rënia e shumë të rinjve që kërkonin liri, ngriti me mijëra të tjerë në këmbë, studentë, punëtorë, të rritur e të moshuar, bujq e arsimtarë, nxënës e pensionistë. Pushka e Tahir Mehës dhe zëri i tyre tundën themelet e ish-Jugosllavisë pushtuese!

Ishte 13 maji 1981, Dita e themelimit të milicisë jugosllave. UDB-ja dëshironte që këtë festë ta shënonte me fitore duke e zënë Tahirin e shumëkërkuar. Pushtuesi kishte planifikuar lavdinë e këtij aksioni që do ta forconte imazhin e njësitit special të milicisë së UDB-së. Planet e Beogradit ia prishi grykëholla e Tahir Mehës me babën plak, Bacë Nebihun, të cilët, me rezistencën e tyre heroike, detyruan pushtuesin serb që në fushëbetejën e Drenicës të nxjerrin një arsenal të tërë armatimi, makinerinë luftarake dhe qindra e mijëra ushtarë e milicë, të cilët po përballeshin me dy burra të Drenicës. Këtë aksion të milicisë po e ndihmonin edhe milicë rezervë të mbështetur me tanke e helikopterë që po sillej mbi qiellin e Drenicës.

Një shtet i tërë ishte ngritur në luftë kundër Tahirit dhe babait të tij.

Këtij arsenali luftarak, Tahir Meha me babën plak i rezistoi për 20 orë. Tahiri me Bacë Nebihun qëndruan të palëkundur nga pozitat e tyre. Tahiri luftonte dhe këndonte përnjëherësh: “O moj Shqipni, mos thuj marova…!”, zë ky që e vriste armikun sikurse plumbi i trimit që qëllonte mbi ta. Kjo qe një ndër goditjet më të rënda që po i përjetonte ish-shteti i Jugosllavisë.

Tahiri Meha me babanë plak, e vuri në lëvizje një shtet të tërë, makinerinë dhe strategjinë luftarake të pushtuesit serb. E hodhën për tokë moralin e maskuar të sistemit komunisto-jugosllav, gjoja mbi barazinë e popujve!?
Qëndresa e Tahirit i dha fuqi e guxim të pashembullt popullit shqiptar drejt përgatitjes për luftën e drejtë çlirimtare kundër pushtuesit serb.

Pushka e Tahir Mehës la të vrarë 13 Majin e pushtuesit dhe ngriti një 13 Maj shqiptar me heroizmin dhe kushtrimin për luftë kundër të gjithë atyre që e shkelin tokën arbërore. Tahiri nuk e bëri luftën për emër e nam, as për këngë e histori, por emri, nami, kënga e historia lindën në themelet e kullës se tij.

Gjyshi i tij, Emin Lati – Meha, ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtë Galicës, ndërsa babai i tij, Nebihu ishte bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës dhe më vonë i vëllai i Tahirit, Beqiri, ishte rreshtuar me kohë në radhët e UÇK-së dhe kishte rënë dëshmor i lirisë së atdheut.

Nuk ka diçka më madhështore, diçka më hyjnore e më fisnike se në altarin e lirisë se atdheut të flijohen tre breza me radhë.