Më merr malli shpesh
ta shoh ëndërr lirinë
në dhomën numër 11,
në burgun e qarkut në Prishtinë.
Malli më merr ta ndiej
erën e mirë të kajsisë nën grilë
që ngutej
të nxirrte nga sythat
lulet dhe bisqet
që u duheshin aq shumë
studentëve në atë pranverë
dhe ne shokëve të ngujuar
në dhomën numër 11.
Shpesh malli më merr
atë diell në gjak ta ndiej,
kur në vend të prindërve
na vinte për vizitë
pa marrë leje prej hetuesinë
e nga rrezet e veta bënte fasha
për plagët tona.
Shpesh malli më merr
për atë pranverë t’asaj stine
kur Republika kish tjetër fytyrë.
KAMXHIKU I DEMOKRACISË
Asnjë pikë Kosove
nuk të bulon dot brenda vetes
në mos e ndjefsh
kamxhikun e demokracisë
mbi armiqtë e klasës.
LOJA E EUNUKËVE
Ky po, ky jo,
jo, jo,
ky jo, ky po,
kjo jo, kjo po,
jo, jo,
kjo po, kjo jo.
Vendosin eunukët,
zgërdhihen kurtizanet,
e unë ia marr majëkrahut
në kupë të qiellit
një kënge për Ademin,
por dita ime mbyll veshtë
me dyllë të verdhë.
HAIK I PASHKRUAR
…..
…….
…..
(Këtë haik të pashkruar dikush mund ta lexojë edhe kështu bardhë,
me pika në vend të rrokjeve në varg.)