Konflikti për një pronë në fshatin Lladroviq të Malishevë, ka çuar në mosmarrëveshje dhe përleshje fizike mes anëtarëve të një familje.
Rasti ka ndodhur dje, në orët e mesditës, kur tre persona nga familja Berisha u kapën me njëri-tjetrin për motive që lidhen me pronën, me ç’rast dy prej tyre përfunduan në ndalim policor.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë thonë se të dyshuarit që u përfshinë në këtë përleshje kanë pësuar lëndime trupore, për çka u desh të marrin trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe më pas u intervistuan në Polici.
Pasi të dyshuarit kanë dhënë deklarata e tyre para hetuesve policorë se si ndodhi ngjarja, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër që dy prej tyre të ndalohen për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar, për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Ndaj të dyshuarve, Prokuroria ka nisur hetimet për veprën “lëndim i lehtë trupor”.