Një rrahje masive mes serbëve ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në veri të Mitrovicës, kurse gjatë ndërhyrjes për të parandaluar rrahjen, një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka pësuar lëndime trupore.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, toger Branislav Radoviq, i cili për portalin Kossev, ka thënë se përleshja ka ndodhur në shëtitoren e qytetit në veri të Mitrovicës.
“Rreth orës 01:11 në rrugën “Mbreti Petar” ndodhi një përleshje masive, ku ka ndërhyrë policia me ç’rast një zyrtar policor mori një goditje në kokë dhe u dërgua në spital, ku është konstatuar se ka pësuar lëndime të lehta trupore”, ka konfirmuar Radoviq.
Lidhur me këtë rast me urdhër të prokurorit është arrestuar serbi 27 vjeçar me inicialet GJ.M. ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, për sulm ndaj zyrtarit policor.
Gjatë kësaj përleshjeje lëndime kanë pësuar edhe perosna të tjerë,por zëdhënësi i Policisë nuk ka mundur të konfirmonte se sa persona u plagosën gjatë përleshjes së mbrëmshme.