Në datën e sotme, 34 vite më parë, në Malishevë kishte ndodhur “Masakra e Malishevës”, ku u vranë Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku, ndërsa u plagosën, u rrahën e u maltretuan dhjetëra qytetarë të tjerë, në të katër hyrje-daljet e Komunës së Malishevës.
Në nderim të të rënëve, sot, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetari Vesel Krasniqi, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi, bashkë me qeverinë komunale, familjarët e dëshmorëve dhe qytetarë të tjerë, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku.
“Ai popull që nderon dhe respekton dëshmorët e rënë për liri dhe vlerat e luftës, e ka rrugën e trasuar për të ecur tutje, prandaj ne gjithmonë do ti nderojmë dhe respektojmë dëshmorët dhe vlerat e luftës për liri. Kjo ngjarje, ndonëse e dhimbshme për ne si popull, shënon edhe reagimin e parë institucional apo kthesën e madhe historike, ku në mënyrë të hapur, nga udhëheqësit e komunës dhe përfaqësuesit e saj në Kuvendi e Kosovës, ngjarja është cilësuar si gjenocid e terror mbi popullatën shqiptare dhe është kundërshtuar sistemi dhe regjimi i asaj kohe, duke i hapur rrugë përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi, që është kulmuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, liri të cilën sot e gëzojmë”, ka thënë mes tjerash, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e rastit, në përkujtim të 30 janarit të vitit 1990.