Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjente njofton qytetarët se situata e përhapjes së zjarreve në territorin e komunës së Klinës dje ka qenë e rëndë.
Zjarrfikësit janë angazhuar në vazhdimësi, duke intervenuar në fshatrat Ujmirë, Volljakë, Gllarevë, Gjurgjevik i Madh, Sferkë dhe Përçevë. Si rezultat i intervenimit të zjarrfikësve zjarret janë ndalur në Ujmirë, Volljakë, Gjurgjevik i Madh dhe Gllarevë.
Megjithëse angazhimi i zjarrfikësve ka qenë i madh, ende ka vatra të zjarreve aktive në malet mes fshatit Përçevë, Sferkë dhe fshatrave të komunës së Malishevës.
Ne kemi kërkuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, KFOR-i dhe institucionet të tjera relevante që të intervenojnë për shuarjen e zjarreve në këtë pjesë malore, ku intervenimi i zjarrfikësve është i pamundur dhe e vetmja mundësi është intervenimi më helikopterë, mirëpo ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje pozitive.
Duke e parë situatën me përhapjen e zjarreve komuna e Klinës ka marrë vendim që niveli i gatishmërisë së zjarrfikësve të ngritët në nivelin më të lartë, duke qenë në shërbim 24 orë në ditë.
Lusim qytetarët që të mos bëjnë zjarrëvënien e hamullorëve, sepse kjo është një vepër penale, mund të rrezikohen jetët e njerëzve, dëmet materiale mund të jenë të mëdha dhe po ashtu dëmton token bujqësore, ku në të ardhmen rendimentet do të jenë më të ulëta.