Një përgjim ndërmjet kryetarit të atëhershëm të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe nënkryetarit të tashëm, Arbër Ismajli, nxjerr në pah servilizmin e këtij të fundit ndaj pushtetit.
Indeksonline ka siguruar bisedat ndërmjet tyre, ku Ismajli i lutet Mustafës që ta marrë në kabinetin e tij, në rast se i fiton zgjedhjet lokale.
Ismajli, i cili njihet si aktivist i hershëm në strukturat e LDK-së dhe nënkryetar i FR të LDK-së në vitet 2000-2004, i “përgjërohej” Qemajl Mustafës së PDK-së për një “vend pune”.
“Mos harro me ma caktu një vend afër teje, jam i nderuar me punu afër teje nëse ke nevojë. Rruga e mbare”, i thotë ai.
Ndërsa, Mustafa i premton se do ta ketë afër vetes. “Do ta bej një ekip për këshill-dhënie dhe besoj krejt ka me qenë mire”.
“Nga nesër unë e konsideroj veten pjese e kabinetit Mustafa. Nëse ty nuk të pengon. Te fala”, i drejtohet Ismajli, i cili merr përgjigje pozitive nga Mustafa. “Hiq mos ta nin shok. Kalo bukur”.
Ndryshe, nënkryetari aktual i Gjilanit, Arbër Ismajli në këtë periudhë (sipas biografisë së tij) ishte anëtar i kryesisë së LDK-së, Dega Gjilan (2010-2015).
Ai ka ushtruar edhe detyrën e shefit të kabinetit në Zyrën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri (janar 2014 – prill 2018).
Ndërsa, më 30 prill 2018, Arber Ismajli është emëruar nënkryetar i Komunës së Gjilanit në qeverisjen e Lutfi Hazirit.