Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e 7 gushtit në një lokal në Klinë. Atë ditë me armë zjarri ishte vrarë A.P.Dorasi dyshohet se është Tush Frroku nga fshati Kosh i Istogut.
Dosja e Prokurorisë së Pejës për këtë rast, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon momentin e ekzekutimit të viktimës.
Fillimisht, i dyshuari Tush Frroku e kishte plagosur me armë zjarri viktimën e më pas ishte kthyer dhe e kishte qëlluar për vdekje.Që nga momenti i vrasjes, Tush Frroku ishte në arrati.
Ai u dorëzua në Polici, në Pejë, një javë pas ngjarjes.Prokuroria e Pejës vlerëson se veprimet që ndërmori ajo dhe Policia për të lokalizuar e arrestuar të dyshuarin bënë që ai të dorëzohej më 15 gusht.
Dy institucionet aplikuan masa të veçanta me qëllim që të gjendej i dyshuari.
Dosja tregon se në këtë rast u përgjuan disa telefona, e shtëpia e ferma e të dyshuarit u monitoruan në mënyrë të vazhdueshme.
Monitorimi i këtyre objekteve thuhet se u bë brenda e jashtë, e madje u lëshuan edhe masa të tjera hetimore.
“Prandaj, të pandehurit i është rrethuar aq shumë rrethi sa që të vetmën alternativë e ka pa dorëzimin e tij” – thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Frroku përpos që është i dyshuar për vrasje të rëndë, ai dyshohet edhe për tri vepra të tjera penale që dyshohet se i kreu po atë ditë: armëmbajtje pa leje, shtrëngim, dhe marrja në posedim e pasurisë së luajtshme.
Më 15 gusht ai u dorëzua në Policinë e Kosovës, e pas një dite Gjykata e Pejës mori vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com thotë se vrasja u krye pas një mosmarrëveshjeje që i dyshuari e viktima kishin me njëri-tjetrin.
Sipas dosjes, viktima në lokal gjendej me tezakun e tij në një tavolinë, e A.P. thuhet se ishte përcjellë nga Tush Frroku.
Dosja tregon se i dyshuari ishte futur në lokal me një armë dhe kishte filluar të gjuante menjëherë në drejtim të viktimës.
Nga këto të shtëna, viktima fillimisht merr plagë vdekjeprurëse, mirëpo pasi Frroku largohet e kthehet tek dera e hyrjes së lokalit ai ndalon aty e gjuan prapë në drejtim të viktimës duke e privuar atë nga jeta.
Këto veprime bën që i dyshuari të rrezikojë jetën e tezakut të viktimës, por edhe jetën e personave të tjerë që gjendeshin në lokal.Dosja e Prokurorisë thotë se me të kryer aktin e vrasjes, ai largohet nga lokali dhe arratiset nga vendi i ngjarjes.
Avokati i tij, Gani Kelmendi, për KALLXO.com ka dhënë detaje nga dorëzimi i Frrokut që ndodhi më 15 gusht.Sipas Kelmendit, ai pas dorëzimit është bastisur nga Policia dhe ka qenë i paarmatosur.
Avokati për KALLXO.com ka thënë se Tush Frroku nuk e di ku e ka hedhur armën e krimit.“Kemi ardhë, jemi dorëzu në Pejë.
I kam thirrë Policinë, na kanë pritë para dere, kemi hy brenda, e kanë bastisë, ka qenë i paarmatosur. Është mbrojtur në heshtje.
Policia e kanë marrë në pyetje por ka thënë se për momentin nuk është i përgatitur me dhënë një deklaratë.
U ka interesu arma ku ka mbetë. Ai nuk e di ku e ka gjujtë, sepse e ka gjujtë tuj ikë” – tha avokati
Kelmendi ka dhënë informacione se ku ndodhej i dyshuari Tush Frroku deri më sot dhe si erdhi deri te dorëzimi i tij në Polici.
Sipas Kelmendit, i njëjti po qëndronte në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë të Skenderajt.
Ai tha se e ka marrë të dyshuarin dhe e ka shoqëruar deri në stacionin e Policisë në Pejë.
Avokati bëri të ditur se Frokaj gjatë rrugës për në Polici është ushqyer, ka pirë kafe e ka blerë cigare
“Unë kam shku e kam marrë, ka qenë i strehuar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë, rreth orës 15:30 dhe jemi shku e kemi marrë. Kam shku e kam pritë, pas rreth 15 minutave ka dalë. Si në mal ka qenë, njëfarë djerrine. Ka dalë, ka ardhë në kerr, kemi ardhë rrugës, ka hëngër bukë, ka pi një kafe, ka ble cigare”- ka treguar avokati Kelmendi për KALLXO.com.
Sipas tij, Frroku në Prokurori ka thënë se për momentin nuk është i përgatitur për të dhënë deklaratë.
.Pas rastit, Frroku dyshohet se me një veturë të grabitur u largua nga vendi i ngjarjes.