Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ia ka kumtuar mbështetjen për marrëveshjen Kosovë-Serbi, emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Lajçak ka diskutuar pak minuta me zyrtarë të kësaj partie, pas takimit që pati në PDK.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas takimit me të ka thënë se propozimi evropian është i vlefshëm dhe se ka elemente të mira për Kosovën.
“Kosova është në një moment të rëndësishëm dhe mund të ecë përpara me një marrëveshje që është propozuar. Do të ketë punë edhe në vazhdimësi, por në rrethanat që gjendemi sot, mendojmë se është e vlefshme. AAK mendon se ka të arritura serioze në këtë dokument, e kuptojmë se nuk është njohja de jure e Kosovës në të, por e kuptojmë se marrëveshja përmban elemente që i krijojnë marrëdhënie të reja në rajon, sidomos mes Kosovës dhe Serbisë, krijon rrethana që e nxjerrin Kosovën në situatë krejt të tjera”.
Gjini ka përsëritur se qëndrimi i AAK-së se e mbështet “një marrëveshje të tillë mes Kosovës dhe Serbisë, të ndihmuar nga BE-ja”, s’ka ndryshuar.
“Haradinaj është i interesuar në pakon e mbështetjes financiare që është e domosdoshme për Kosovën pas arritjes së marrëveshjes. Ekziston si pikë në marrëveshje dhe detaje të tjera që ne mendojmë se duhet të kemi qartësi. Nuk kemi dilema të mëdha”.
Gjini ka shtuar se shpreson në marrëveshje në takimin që do të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut mes palëve.
“Shpresojmë të ketë përparim më datë 18, shpresojmë të ketë marrëveshje mes dy vendeve. Ajo që e kemi kuptuar është se aneksi është më tepër sqarim për palët. Marrëveshja është e qartë, aneksi ka të bëjë me sqarimin dhe garancat që i kërkojnë palët. Shpresojmë se do të ketë marrëveshje më datë 18”.