Me sukses ka përfunduar operimi i policit Artur Mrasori në Turqi.
Mrasori të cilin dje e kanë transferuar për trajtim në një spital të Turqisë sipas burimeve të gazetës “Koha Ditore”, para pak minutave ka dalë nga salla e operimit. Mësohet se Mrasori, i cili mori lëndime në sy, nuk e ka humbur shikimin, porse i është bërë intervenim në syrin e majtë.
“Operimi ka zgjatur disa orë. Tashmë ka përfunduar. Sipas mjekëve atje operacioni ka rezultuar i suksesshëm”, ka thënë për gazetën një burim nga institucionet që kanë koordinuar dërguar për trajtim Mrasorin në Turqi.
Kujtojmë se Artur Mrasori, polic i Republikës së Kosovës, mbeti i lënduar në incidentin që ndodhi në Zhur të Prizrenit, ku mbet i vdekur polici Sami Thaqi.
Me dyshimet se kishte vënë eksploziv të llojit TNT e që shkaktoi vdekjen e policit Thaqi, e u plagosën Mrasori e Jetmir Hasanaj Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar 30 ditë paraburgim Iran Badallit.