PËRFUNDOI PROJEKTI “VIZITAT SISTEMATIKE SHËNDETËSORE” NË SHKOLLA

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, z. Enver Gashi, dhe drejtori i Shëndetësisë, z. Hekuran Sejdia, kanë vizituar sot shkollën e mesme të ulët “Motrat Qiriazi”, ku kanë parë nga afër realizimin e projektit “Vizitat Sistematike Shëndetësore”, projekt i cili sot ka përfunduar me sukses për këtë vit kalendarik.

Realizimin e projektit e ka mbështetur dhe përshëndetur kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i cili ka shtuar se kujdesi i shëndetit për fëmijët tanë do të jetë në fokus të qeverisjes lokale.

Kryetari Elezaj, me këtë rast ka falënderuar stafin e QKMF-së për punën e mrekullueshme që e kanë bërë duke vizituar të gjitha shkollat e komunës së Klinës, ku këtë vit janë vizituar nga stafi mjekësor 1285 nxënës.

Vlen te theksohet që ky është viti i dytë i këtij projekti i cili do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme dhe në fund të periudhës se planifikuar do të prezantohet raporti publik me të gjitha të gjeturat.

Projekti është zhvilluar në të gjitha shkollat e Komunës së Klinës dhe ka për synim kontrollin shëndetësor të të gjithë nxënësve në shkolla, identifikimin e hershëm të problemeve shëndetësore që mund të përballen nxënësit, parandalimin e sëmundjeve, promovimin e shëndetit dhe edukimin shëndetësor.