Në qendër të qytetit të Klinës, në sheshin “Mujë Krasniqi”, mbrëmë është mbajtur nata e parë e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”.
Kryetari i komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij përshëndetëse tha se ky festival s’është vetëm i Klinës. Për të festuar, hedhur valle dhe kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë ardhur këtu bashkëkombës nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga diaspora, grupe të ansambleve të këngëve dhe të valleve, shoqëri kulturore artistike, rapsodë të trimave të lirisë dhe të trimërisë së tyre.
Edhe rapsodët pjesëmarrës në këtë festival do të këndojnë për heronjtë, për të bëmat e tyre, për figurat kombëtare jo vetëm të ushtrisë sonë të vonshme, por edhe për ato para UÇK-së. Pra, nëpërmjet teksteve të këngëve të tyre do të mësojmë për të kaluarën tonë të hershme historike, por edhe për këtë të vonshmen.
Në natën e parë të festivalit u shfaq një program i pasur artistik, ku përformuan këto grupe rapsodësh dhe valltarë:
1. AKV “Shota” Prishtinë – mysafirë të festivalit
2. AKV “Anamorava” – Viti,
3. Rapsodi: Nazmi Hajdari,
4. AKV “Sharri” – Hani i Elezit,
5. AKV “Kaltërsia” – Tiranë,
6. Rapsodët: Hamdi Dekaj dhe Milaim Llapaj
7. Rapsodët: Avdyl Husaj dhe Gëzim Rexhaj
8. SHKA “Minatori” – Kishnicë
9. AKV “Zëri i Kamnenicës” – Kamenicë.
Festivali do të vazhdojë edhe për dy netë tjera me një program të pasur artistik, ndërsa në kuadër të programit do të organizohen edhe aktivitete sportive.